Arabia Saudite lejon hapësirën e saj ajrore për fluturimet EBA-Izrael

Arabia Saudite njoftoi sot miratimin e kërkesës së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) për të lejuar fluturimet e EBA-së nga dhe drejt Izraelit të kalojnë përmes hapësirës së saj ajrore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e Autoritetit Saudit të Aviacionit Civil, Rijadi ka miratuar kërkesën e pranuar nga autoriteti i aviacionit të EBA-së, e cila përfshin lejimin nga Mbretëria për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të fluturimeve që vijnë në Abu Dhabi dhe që shkojnë drejt të gjitha vendeve.

Të hënën, fluturimi i parë komercial izraelit zbarkoi në EBA si manifestim i parë i marrëveshjes për normalizimin e lidhjeve midis dy vendeve.

Avioni izraelit të hënën kaloi hapësirën ajrore saudite. Me këtë orët e fluturimit midis Tel Avivit dhe Abu Dhabit u shkurtuan në më pak se tre orë e gjysmë krahasuar me 7 orë në të kaluarën.

Ndërsa vendimi saudit nuk përfshinte ndalimin e ndonjë vendi, pritet që Izraeli të kryejë fluturimet e tij në EBA përmes hapësirës ajrore saudite, siç ndodhi gjatë fluturimit të së hënës.

Më 13 gusht, EBA dhe Izraeli njoftuan arritjen e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-të për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe hapjen e ambasadave në vendet përkatëse.

Autoritetet palestineze dhe fraksionet e rezistencës kanë denoncuar marrëveshjen EBA-Izrael, duke thënë se ajo nuk i shërben kauzës palestineze dhe injoron të drejtat e palestinezëve.