Arabia Saudite i mbetet besnike dollarit

Ministria e Energjisë e Arabisë Saudite, ka përgënjeshtruar zërat se do të braktis përdorimin e dollarit amerikan gjatë tregtimit të saj me naftë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) i njohur si NOPEC, ka nxitur thashethemet se nëse një propozim i tillë miratohet, atëherë shtetet e OPEC-ut do të braktisin dollarin gjatë tregtimit. 

NOPEC është projektuar ashtu që heq imunitetin shtetëror duke bërë që kartelët ndërkombëtarë të naftës, OPEC-u dhe kompanitë kombëtare të naftës të mund të paditen sipas ligjit amerikan të antitrustit, për përpjekjet e tyre anti-konkurrencë duke kufizuar furnizimin botëror të naftës me çka do të ndikojnë mbi çmimet.

“Pretendimet se Arabia Saudite po kërcënon të shesë naftën e saj në valuta tjera janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë qëndrimin e Arabisë Saudite për këtë çështje”, deklaroi Ministria e Energjisë, Industrisë dhe Burimeve Minerale, e cituar nga agjencia saudite e lajmeve SPA.

Ministria thotë se tregtimi me dollarë, të cilin Mbretëria tshmë e bën me dekada të tëra, “i ka shërbyer mirë objektivave dhe politikave të saj financiare dhe monetare”.

Theksohet se Arabia Saudite angazhohet për të qenë një forcë stabilizuese e tregjeve të energjisë, duke mos rrezikuar ndryshimin thelbësor të kushteve financiare të marrëdhënieve tregtare të naftës në botë.