Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Arabia Saudite e gatshme të normalizojë lidhjet me Izraelin bazuar në iniciativën...

Arabia Saudite e gatshme të normalizojë lidhjet me Izraelin bazuar në iniciativën arabe

Arabia Saudite tha se është e gatshme të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin bazuar në propozimin e iniciativës arabe të vitit 2002 për paqen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për të përditshmen “Arab News” me bazë në Rijad, Abdallah Al-Mouallimi, përfaqësuesi i përhershëm i mbretërisë në OKB tha se Rijadi është i përkushtuar ndaj Iniciativës Arabe për paqe, e cila bën thirrje për fundin e pushtimit izraelit të të gjitha territoreve arabe të pushtuara në vitin 1967 dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin.

“Qëndrimi zyrtar dhe i fundit saudit është se ne jemi të përgatitur për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin sapo Izraeli të zbatojë elementet e nismës saudite të paqes që u prezantua në vitin 2002”, tha Al-Mouallimi.

Ai shtoi se sapo të implementojë iniciativën, Izraeli do të ketë njohje “jo vetëm nga Arabia Saudite, por e gjithë bota muslimane, të gjitha 57 vendet e Organizatës së Bashkëpunimit Islam”.

“Koha nuk ndryshon të drejtën ose të gabuarën. Pushtimi izraelit i territoreve palestineze është i gabuar pa marrë parasysh sa zgjat”, tha diplomati.

Muajin e kaluar, mediat izraelite raportuan se një delegacion prej rreth 20 liderësh hebrenj amerikanë kishte vizituar Arabinë Saudite dhe u takua me zyrtarë të lartë atje, përfshirë të paktën 6 ministra të qeverisë dhe përfaqësues të lartë të shtëpisë mbretërore saudite në një përpjekje për të shqyrtuar mundësitë e krijimit të lidhjeve midis Rijadit dhe Tel Avivit. /aa

Exit mobile version