Arabia Saudite dhe SHBA-ja po zhvillojnë stërvitje të përbashkët ushtarake 10 ditore në Detin e Kuq me qëllim për të siguruar lirinë e lundrimit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare saudite SPA, stërvitja e dytë detare që zhvillohet mes forcave të marinës saudite dhe të SHBA-së në Detin e Kuq e emërtuar “Blue Guard 21” filloi të dielën.
Stërvitja me qëllimin për të forcuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ushtarak si dhe për të rritur nivelin e përgatitjes për luftë do të zgjasë 10 ditë.
Në një deklaratë thuhet se stërvitja synon “të kontribuojë për mbrojtjen dhe sigurinë e deteve, rrugëve rajonale dhe ndërkombëtare si dhe zhvillimin e aftësive në këtë drejtim për lirinë e lundrimit detar në Detin e Kuq”.
Në një deklaratë nga SPA vihet në dukje se Forcat e Armatosura të Arabisë Saudite me pjesëmarrjen e disa vendeve mike kanë filluar stërvitjen “Missile Air Combat Center 2021” në bazën ajrore Al-Dhafra të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).
Ndërkohë në deklaratë nuk është dhënë informacion i detajuar se cilat janë vendet pjesëmarrëse në stërvitje si dhe për kohëzgjatjen e saj.