Arabia Saudite dhe Katari do të shlyejnë borxhin e Sirisë ndaj Bankës Botërore

Arabia Saudite dhe Katari njoftuan të dielën se do të shlyejnë borxhin e mbetur të Sirisë ndaj Bankës Botërore, që arrin rreth 15 milionë dollarë, sipas një deklarate të publikuar nga Agjencia Saudite e Lajmeve (SPA). Të dy vendet e Gjirit kanë luajtur një rol kyç në nismat diplomatike ndaj udhëheqësve të rinj të Sirisë pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Asad në dhjetor.

Në një deklaratë të përbashkët, Arabia Saudite dhe Katari thanë se kjo marrëveshje do të hapë rrugën për miratimin e miliona dollarëve në forma grantesh për rindërtimin dhe mbështetjen e sektorit publik të paralizuar të Sirisë.

Agjencia Reuters ishte e para që raportoi për këtë zhvillim në fillim të këtij muaji. Kjo është hera e parë që Arabia Saudite ofron ndihmë financiare për Sirinë që nga rrëzimi i Asadit, dhe mund të sinjalizojë fillimin e një mbështetjeje të rëndësishme arabe për Damaskun, pas disa iniciativave të mëparshme që kishin mbetur pezull për shkak të pasigurive mbi sanksionet amerikane.

“Kjo angazhim do të lejojë Grupin e Bankës Botërore të rifillojë mbështetjen dhe operacionet në Siri pas një pezullimi prej më shumë se katërmbëdhjetë vitesh,” thuhet në deklaratën saudito-katarase.

Po ashtu, të dy vendet bënë thirrje për rifillimin dhe zgjerimin e angazhimit zhvillimor nga institucionet ndërkombëtare dhe rajonale financiare në Siri.

Siria ka rreth 15 milionë dollarë borxhe të papaguara ndaj Bankës Botërore, të cilat duhet të shlyhen përpara se institucioni të miratojë grante dhe ndihma të tjera financiare për vendin.