Në kuadër të vizitës së Princit të Kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman në Egjipt, është nënshkruar një marrëveshje ekonomike dhe tregtare me vlerë 7,7 miliardë dollarë mes Kajros dhe Riadit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës me shkrim të bërë në llogarinë në rrjetet sociale të Ministrisë së Investimeve të Arabisë Saudite, kompanitë nga të dy vendet që operojnë në fusha të ndryshme janë bashkuar me bashkëpunimin e Ministrisë dhe Autoritetit të Përgjithshëm Egjiptian për Investime dhe Zona të Lira.
Duke folur në ceremoninë ku u nënshkrua një marrëveshje me vlerë 7,7 miliardë dollarë midis kompanive të Arabisë Saudite dhe Egjiptit, ministri i Investimeve i Arabisë Saudite, Khalid al-Falih, deklaroi se roli i Ministrisë është të mbështesë dhe lehtësojë pjesëmarrjen e sektorit privat në zhvillimin e fushës së ekonomisë.
Në një deklaratë me shkrim të bërë dje nga Oborri Mbretëror i Arabisë Saudite, thuhet se Princi i Kurorës bin Salman shkoi në një turne jashtë shtetit që përfshin Egjiptin, Jordaninë dhe Türkiye-n. Gazeta shtetërore egjiptiane El-Ehram shkroi gjithashtu se presidenti Abdel Fattah es-Sisi e priti bin Salmanin në Aeroportin e Kajros.
Sipas të dhënave nga Instituti i Përgjithshëm i Statistikave të Arabisë Saudite, vëllimi i tregtisë midis Riadit dhe Kajros u rrit nga 7.7 miliardë dollarë në 2020 në 14,5 miliardë dollarë në 2021, me 88 për qind.
Sipas të dhënave të Dhomës së Tregtisë së Arabisë Saudite, investimet e Arabisë Saudite në Egjipt kapin vlerën 32 miliardë dollarë, ndërsa investimet e Egjiptit në Arabinë Saudite kapin vlerën e 5 miliardë dollarëve. /aa