Arabia dëmshpërblen familjet e punëtorëve shëndetësorë që vdiqën nga koronavirusi

Arabia Saudite ka nisur të ndajë nga 133,000 dollarë për familjet e secilit punëtor shëndetësor që ka vdekur duke luftuar pandeminë e koronavirusit, ka raportuar media shtetërore.

Në njoftimin e 8 gushtit, është thënë se Qeveria do të ndajë këto shuma parash për familjet e të punësuarve në sektorin shëndetësor, qoftë në atë publik, privat, civil, ushtarak, saudit, apo josaudit brenda Arabisë Saudite.

Agjencia shtetërore e lajmeve SPA, ka thënë se punëtorët shëndetësorë “kanë dhënë jetën në luftën kundër pandemisë, për të ruajtur shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve dhe banorëve të Mbretërisë Saudite”.

Ky shtet ka raportuar 8,320 viktima me koronavirus, mirëpo Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë publike shifrat e viktimave në mesin e punëtorëve shëndetësorë.

Arabia Saudite, me popullsi prej 30 milionë banorëve, ka thënë se ka dhënë rreth 30 milionë doza të vaksinave dhe aktualisht është duke raportuar më pak se 1,000 raste të të infektuarve në ditë.

Prej shpërthimit të pandemisë, ky vend ka regjistruar rreth 533,000 raste me koronavirus.

Vdekja e parë është regjistruar më 2 mars të vitit 2020.