Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, gjatë vazhdimit të dytë të intervistës për “Zërin” ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet ta formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me ligjet e Kosovës, si dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ata insistojnë se institucioni nuk do të jetë një strukturë paralele e serbëve në Kosovë.
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka inkurajuar drejtuesit e institucioneve vendore që ta formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por kjo, sipas saj, duhet të bëhet duke respektuar ligjet e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Këto komente Apostolova i ka bërë në vazhdimin e dytë të intervistës, duke shtuar se për një marrëveshje të tillë janë pajtuar dy palët gjatë bisedimeve në Bruksel.
Diplomatja Apostolova ka shtuar se edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, në Parlamentin e Kosovës ka theksuar se presin që AKS-ja të mos jetë një strukturë paralele, por me këtë do të inkorporohen serbët e Kosovës në institucione dhe kjo do të jetë e dobishme për të gjitha palët. “Pra, kemi të bëjmë me një situatë ‘Win-Win, porse si do të merret kjo Qeveri me këtë çështje do të jetë shumë e rëndësishme për ne, veprime këto që do t’i monitorojmë gjatë ditëve të ardhshme”.
Mes të tjerash ajo ka folur edhe për zgjedhjet e 22 tetorit, dialogun që po zhvillojnë presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, për perspektivën e vendeve të Ballkanit në BE, etj.