“Houseparty”, një aplikacion për video-bisedë që pati popullaritet kur kufizimet u vendosën për herë të parë vitin e kaluar, do të mbyllet.
Platforma i lejon njerëzit të hyjnë në “dhomat” e video-bisedave me miqtë dhe ajo përjetoi rritje të kërkesës gjatë valës së parë të kufizimeve të COVID-19, me 50 milionë regjistrime në një muaj.
Shefi ekzekutiv i aplikacionit e kishte përshkruar Housepartyn si “gjëja tjetër më e mirë për t’u lidhur me jetën reale” dhe u bë edhe më e popullarizuar kur takimi me miqtë u bë i pamundur gjatë pjesës më të madhe të vitit 2020, raporton Guardian.
Duke njoftuar mbylljen, pronari i Housepartyt, Epic Games, tha se nuk mund t’i “jepte aplikacionit ose komunitetit vëmendjen që meriton”.
Në kulmin e tij, Houseparty u godit nga thashetheme të pavërtetuara të rrjeteve sociale që pretendonin se aplikacioni bëri që llogaritë e tjera të përdoruesve në internet – përfshirë Netflix, eBay, Instagram dhe Spotify – të hakoheshin. Epic më pas ofroi një shpërblim prej 1 milion dollarësh për këdo që mund të vërtetonte se ishte në shënjestër të një fushate shpifjeje.
Zyrtarisht aplikacioni mbyllet në tetor.