Aplikacioni kinez i inteligjencës artificiale DeepSeek sfidon gjigantët ChatGPT, Google AI

Chatboti i inteligjencës artificiale DeepSeek, i zhvilluar së fundmi nga Kina, ka ngritur alarmin midis gjigantëve perëndimorë të teknologjisë, duke ofruar një alternativë më efikase dhe me kosto efektive ndaj ChatGPT të OpenAI-së, raporton Anadolu.

Mbështetur nga fondi investues kinez High-Flyer, DeepSeek lançoi modelin e parë DeepSeek-R1 më 20 janar. Ndryshe nga platforma e bazuar në abonim dhe me burim të mbyllur të ChatGPT-së, me çmim 200 dollarë në muaj, DeepSeek-R1 është plotësisht pa pagesë dhe përdor burime të hapura, duke u mundësuar përdoruesve të kenë qasje dhe të përdorin atë pa kufizime.

Ekspertët njoftojnë se DeepSeek-R1 tejkalon ChatGPT-në dhe modelet e tjera kryesore, përfshirë Google AI, në standardet kryesore të performancës. Pas publikimit të tij, aplikacioni u ngjit me shpejtësi në duke u renditur në mesin e 10 aplikacioneve më të mira.

Modeli u zhvillua dhe u trajnua në vetëm dy muaj duke përdorur vetëm 2.000 çipa Nvidia me një kosto prej 5,6 milionë dollarë. Kjo është në kontrast të fuqishëm me shpenzimet dukshëm më të larta të kompanive si OpenAI, Meta dhe Google, të cilat shpenzojnë afërsisht 10 herë më shumë në modele të ngjashme.

Jim Fan, një shkencëtar kërkimor në Nvidia, e vlerësoi lartë modelin R1, duke nënvizuar potencialin e tij për të transformuar industrinë globale të IA-së.

– Kufizimet amerikane për çipa nxisin inovacione

Suksesin e aplikacionit DeepSeek, analistët ia atribuojnë kufizimeve të vendosura nga SHBA-ja për çipa në Kinë, të cilat e shtynë kompaninë të maksimizojë efikasitetin. Ky optimizim, i shoqëruar me natyrën e tij me burim të hapur, po riformëson peizazhin konkurrues dhe po sfidon dominimin e kompanive teknologjike perëndimore.

Prezantimi i aplikacionit DeepSeek ka ndezur gjithashtu një luftë çmimesh në Kinë, duke u bërë presion kompanive të mëdha si Alibaba, ByteDance dhe Baidu që të dalin me modele të ngjashme me kosto efektive.

– Implikimet globale

Ekspertët paralajmërojnë se rritja e aplikacionit DeepSeek mund të ndikojë ndjeshëm në të ardhurat e kompanive si Google, OpenAI dhe Nvidia, pasi modelet e IA-së me kosto të përballueshme reduktojnë kërkesën për sisteme të shtrenjta. Disa madje parashikojnë një përsëritje të mundshme të krizës së “flluskave dot-com” që tronditi kompanitë e teknologjisë amerikane në vitin 2000.

Figura të dukshme, përfshirë Marc Andreessen, një sipërmarrës, e përshëndetën DeepSeek-R1 si “një nga zbulimet më mahnitëse dhe mbresëlënëse” dhe “një dhuratë e madhe për botën”.

Ndërkohë, shefi ekzekutiv i Microsoft-it, Satya Nadella, i cili planifikon të investojë rreth 80 miliardë dollarë në IA këtë vit, duke folur në Forumin Ekonomik Botëror, pranoi performancën mbresëlënëse të aplikacionit DeepSeek, duke theksuar rëndësinë e njohjes së rolit në rritje të Kinës në zhvillimin e IA-së.

Teksa konkurrenca intensifikohet, aftësitë e aplikacionit DeepSeek për të tronditur tregun e teknologjisë, sinjalizojnë një epokë transformuese për sektorin global të IA-së.