Gjykata e Apelit ua ka vërtetuar dënimet imamit Zekria Qazimi dhe gjashtë të akuzuarve të tjerë të këtij grupi, për vepra penale të ndërlidhura me terrorizëm.
Apeli, të premten, ka njoftuar se ka refuzuar ankesat e Prokurorisë Speciale, imamit Qazimi dhe të mbrojtësve të grupit prej shtatë të dënuarve (Z.Q., I.B., S.T., B.B., J.K., L.K. dhe I.K).
Prokuroria, pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të datës 20 maj 2016, kishte kërkuar rritje të dënimit ndaj të dënuarve, derisa mbrojtja ka kërkuar shfajësimin e tyre. Por, Apeli e ka vërtetuar këtë aktgjykim.
Imami i xhamisë “El Kaddus” në Gjilan, Zekria Qazimi, sipas aktgjykimit të vërtetuar në Apel, është i dënuar me 10 vjet burgim për veprën, “rekrutim të xhihadistëve kosovarë që luftuan në ISIS”.
“Në bazë të këtij aktgjykimi, shtatë të akuzuarit janë gjetur fajtor për një sërë veprash penale si: rekrutimi për terrorizëm në bashkëkryerje nga neni 139 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist në bashkëkryerje, nga neni 143, lidhur me nenin 31 të këtij kodi , nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar ose etnik, nga neni 147 (Z.Q.), si dhe mbajtja në kontroll, posedim të pa autorizuar të armëve, nga neni 374 (I.B.). Gjykata e shkallës se parë e ka dënuar Z. Q. me 10 vjet burgim, I.B. me 8, S.T. me 7 vjet e 6 muaj, B.B. me 4 vjet e 6 muaj, J.K. me 4, L.K. me 3 dhe I.K me 5”, ka njoftuar Gjykata e Apelit.
“Kolegji penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i kësaj gjykate, gjeti se pretendimet e prokurorisë, se dënimet e shqiptuara të akuzuarve janë të buta dhe pretendimet e mbrojtësve të akuzuarve, se dënimet e shqiptuara të akuzuarve janë të ashpra, janë të pabazuara, sepse nga gjykata e shkallës së parë, realisht janë vlerësuar si rrethanat lehtësuese, roli i të akuzuarve dhe kontributi i tyre në kryerjen e veprave penale, për të cilat janë shpallur fajtor. Po ashtu janë refuzuar si të bazuar edhe pretendimet tjera të avokatëve”, arsyetohet vendimi i kësaj Gjykate, në njoftim.