Një grup prej 140 artistësh nga e gjithë bota mbështetën thirrjen për të bojkotuar edicionin e 64-t të Eurovizionit që do të mbahet vitin e ardhshëm në Izrael, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gazeta “The Guardian” ka publikuar një tekst të nënshkruar nga 140 artistë të cilët publikisht kanë mbështetur apelin e artistëve palestinezë për të bojkotuar edicionin e Eurovizionit në Izrael.
“Ne mbështesim apelin e artistëve palestinezë, nuk duhet bashkëpunuar me shtetin e Izraelit derisa palestinezët të fitojnë lirinë, drejtësinë dhe të drejtat që ky shtet ua merr”, thuhet në tekst.
Artistët, në tekstin e mbështetjes për bojkotin, rikujtuan se ushtria izraelite kohët e fundit vrau të paktën 62 palestinezë, përfshirë të paktën 6 fëmijë në Gaza.
“Edicioni i Eurovizionit në Izrael duhet bojkotuar për sa kohë që Izraeli vazhdon shtypjen disa dekadashe të të drejtave dhe lirive themelore të palestinezëve”, thanë artistët.
Grupi i artistëve gjithashtu konsideron se nuk është e mjaftueshme që Unioni i Producentëve Evropianë (EBU) ka kërkuar nga Izraeli të mos e organizojë edicionin në Kuds.
“Izraelit duhet t’i hiqet roli i organizatorit dhe edicioni duhet të mbahet në një vend tjetër i cili më shumë respekton të drejtat e njeriut”, ka thënë grupi i artistëve.
Ndër nënshkruesit e tekstit janë muzikanti Roger Waters, regjisori Ken Loach dhe shkrimtari Yann Martel. Në mesin e atyre që kanë nënshkruar janë gjashtë artistë nga Izraeli.