Apeli e kthen në rigjykim rastin e Meliza Haradinajt

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, për veprën penale “mosraportim apo raportimi i rremë i pasurisë”, për të cilën ajo edhe ishte dënuar.

Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate nga Gjykata e Apelit, shkruan lajmi.net.

“Gjykata e Apelit e Kosovës,  ka vendosur lidhur më ankesën në rastin e të  akuzuarës M.H.-S”, thuhet në njoftim.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 04.10.2019 është anuluar sipas detyrës zyrtare, dhe çështja penale i është kthyer gjykatës së njëjtë, në rigjykim dhe vendosje.

Gjykata themelore, e kishte  shpallur fajtor të akuzuarën, rreth një vit më parë, për shkak të veprës penale “Mosraportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare “nga neni 437 par.2 I Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

Për këtë ajo ishte dënuar më 8 muaj burgim më kusht, në aftin e verifikimit prej 1viti, si dhe dënimi me gjobë, në shumën prej 1.000 Eurove.

Gjykata e Apelit, gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

Po ashtu nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetoj elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët.  Për këto dhe arsye tjera, u vendos që çështja të kthehet në rigjykim.