Ballina Udhëtim Antalya, qyteti magjik turistik me pasuri antike dhe natyrore

Antalya, qyteti magjik turistik me pasuri antike dhe natyrore

Gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), kur udhëtimi në shumë vende ishte i kufizuar për shkak të masave të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e virusit dhe kur njerëzimi kishte frikë për mbrojtjen e shëndetit të tij, Turqia gjeti mënyrën për të qenë një adresë e sigurt për turizmin edhe në këtë periudhë.

Antalya, qyteti magjik turistik me pasuri antike dhe natyrore
Antalya, qyteti magjik turistik me pasuri antike dhe natyrore
Ekipi i Anadolu Agency (AA) nga Shkupi ishte pjesë e grupit të gazetarëve nga Maqedonia e Veriut që vizitoi vendet turistike në Turqi, në kuadër të një programi të promovimit të turizmit të organizuar nga Agjencia Turke e Promovimit dhe Zhvillimit të Turizmit pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, në bashkëpunim me ambasadën turke në Shkup.

Turqia në muajin korrik të vitit 2019 themeloi TGA-në, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, me qëllim për të zbuluar, zhvilluar dhe promovuar pasuritë e trashëgimisë natyrore, kulturore, dhe biologjike të vendit.

Ndër objektivat e kësaj agjencie janë rritja e kapacitetit turistik, rritja e shkallës së investimeve të turizmit në ekonominë kombëtare, aktivitetet e marketingut si dhe ngritja e cilësisë së shërbimit me komunikim afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë.

Shkaku i shpërthimit të pandemisë së COVID-19, gjatë këtij sezoni turistik TGA promovoi fushatën “#SafeTurkey”, me anë të të cilës promovon kushtet e ofruara të Turqisë për pushime të sigurta të turistëve në vend, që përfshin një gamë të gjerë masash mbi transportin, akomodimin dhe shëndetit e stafit dhe të turistëve.

Që nga muaji maj, Turqia filloi me programin e Certifikimit të Turizmit të Sigurt, që u ndahet objekteve hotelerike apo mjediseve turistike që plotësojnë kushtet higjienike dhe të distancës fizike.

Kjo certifikatë, e cila përfshin hapat që duhet të merren për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, përbëhet nga disa shtylla kyçe, respektivisht shëndeti dhe siguria e turistit dhe e punonjësit ndërsa mbulon masat që kërkohen të zbatohen në lidhje me turistët nga koha e hyrjes deri në kohën e daljes së tyre.

“Ndërmarrjet e certifikuara po kontrollohen fuqishëm dhe hoteleve që nuk ndjekin rregullat e përcaktuara nga programi u jepet një kohë e caktuar për të korrigjuar gabimet. Nëse nuk ndërmerren veprime korrigjuese, hoteli do të humbasë certifikatën dhe pa të nuk mund të funksionojë”, thonë nga TGA.

Turqia po ashtu prezantoi një sistem të sigurimit shëndetësor me mbulim të pandemisë së COVID-19 për të huajt dhe shtetasit e saj që banojnë jashtë vendit. Ky sistem, që mbulon sigurimin e turistëve që nga koha e zbritjes nga aeroplani deri në largimin e tyre, mundëson paketa të sigurimeve që mund të blihen deri në 23 euro dhe që mbulojnë kosto mjekësore deri në 7 mijë euro.

“Këtë vit kemi një lloj lëkundjeje, por vitin e ardhshëm definitivisht do të rimëkëmbemi”

Menaxheri i operacionit në guidën turistike “Cicerone Travel”, Fırat Solak tha se pandemia e koronavirusit ka ndikuar mjaft keq në sektorin e turizmit, duke reduktuar numrin e turistëve por edhe duke shkurtuar numrin e punonjësve në këtë sektor.

“Veçanërisht biznesi i hotelerisë humbi 3 muaj, shënoi një rënie prej pothuajse një të katërtën nga normalja. Në përgjithësi, në muajt gusht dhe korrik është sezoni më i madh, por tani po punojmë me një të tretën e kapacitetit”, tha Solak.

Lidhur me masat e autoriteteve turke për të mbijetuar dhe për t’i tejkaluar më lehtë pasojat nga pandemia globale, ai theksoi se pavarësisht asaj se ky vit ka qenë i vështirë për sektorin e turizmit, me mbështetje të autoriteteve dhe sektorit privat në promovimin e turizmit viti i ardhshëm do të “lulëzojë”.

“Mund të themi se ne definitivisht do të mbijetojmë, sepse nuk jemi si disa vende të varfëra në botë. Turqia është në listën e gjashtë vendeve më të vizituara në botë. Këtë vit kemi një lloj lëkundjeje, por vitin e ardhshëm definitivisht do të rimëkëmbemi”, shprehet Solak.

Sa i përket turistëve që vizitojnë qytetin e Antalya-s, siç tha ai, numri më i madh i turistëve që gjatë kohës së pandemisë dominuan më shumë këtë qytet ishin rusët dhe britanikët, përveç evropianëve të cilët reduktuan vizitën e tyre në Antalya shkaku i kufizimeve të ndërmarra nga qeveritë e tyre.

Ndërkaq, menaxheri i pëgjithshëm i hotelit “Akra Barut Hotel” në Antalya, Gökhan Polat, shpjegoi se autoritetet turke që nga shpërthimi i koronavirusit në muajin mars sollën rregulla për sigurinë e turistëve gjatë pandemisë dhe se që nga ajo kohë kanë filluar përgatitjet për sezonin turistik veror.

Në këtë aspekt, njoftoi Polat, autoritetet e vendit ndanë certifikata për hotelet e vendit që plotësojnë kushtet për të vepruar gjatë pandemisë dhe çdo muaj inspektorati kryen kontrolle nëse kushtet e vendosura po zbatohen, duke vazhduar certifikatën për një muaj tjetër deri në kontrollin e ardhshëm.

“Kontrolli herën e parë, natyrisht ishte i vështirë për ne, certifikimi për herë të parë. Por, hera e dytë dhe e tretë ishte më e lehtë për ne dhe tani këto gjëra duken normale për ne, për mysafirët dhe për stafin”, u shpreh Polat.

Sa i përket çmimit dhe ofertave të hotelit të tij për turistët, Polat bëri të ditur se punojnë me të njëjtën strategji sikurse vitet e kaluar dhe se turistët, edhe pse në numër më të vogël krahasuar me vitet e tjera, shprehen të kënaqur me çmimet dhe kushtet e ofruara gjatë krizës pandemike.

Turqia është një nga destinacionet më të njohura midis vizitorëve të huaj. Viti 2019 u mbyll me një rritje rekorde të vizitorëve, duke arritur në 51.9 milionë vizitorë dhe gjatë vitit të kaluar Turqia ishte destinacioni i gjashtë më i vizituar nga turistët në botë.

Bazuar në udhërrëfyesin që ishte hartuar për vitin 2020, vendi në rrethana normale kishte pritje të arrijë në 58 milionë turistë pasi shifrat dyshifrore arritën që në dy muajt e parë të vitit 2020, por shkaku i pandemisë nuk dihet nëse deri në fund të vitit do të arrihet kjo shifër.

Pavarësisht krizës aktuale pandemike, TGA synon të markojë Turqinë si një destinacion të kërkuar në mbarë botën dhe që deri në vitin 2023 të jetë nikoqire e 75 milionë turistëve në baza vjetore si dhe të arrijë 65 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi.

Antalya, një destinacion tërheqës për turistët edhe gjatë pandemisë së COVID-19

Provinca turke Antalya, që ndodhet në jugperëndim të vendit, dallohet nga deti, rëra, dielli, qytetet antike, ndërtesat historike dhe bukuria natyrore, që tërheqin turistë nga shumë vende.

Pjesa e vjetër e qytetit Antalya me mbetjet e kulturës bizantine, romake dhe selxhuke flet për vlerën e madhe historike dhe civilizuese të saj. Pjesa e vjetër e qytetit “Kaleiçi” ka një nga monumentet më të famshme të qytetit, Portën e Hadrianit, që u ndërtua në vitin 130 gjatë kohës së vizitës së perandorik romak, Hadrian.

Ajo që është specifike në këtë monument është se ai përbëhet nga tre harqe triumfale që janë të bashkuara. Kjo portë është hyrja në pjesën e vjetër të qytetit që të çon drejt çarshisë, rrugëve të ngushta ku “fshihen” kafenetë, restorantet dhe hotelet e bukura, të cilat kanë mbajtur pamjen e tyre të vjetër.

Vetëm në më pak se 50 kilometra në lindje të qytetit Antalya është qyteti antik Aspendos, ku janë zbuluar ndërtesa të vjetra 2 mijë vjeçare, që besohet se janë përdorur si dyqane apo depo. Hulumtimi sipërfaqësor filloi në vitin 2008 dhe me vendim të Këshillit të Ministrave të Turqisë në vitin 2014 filluan gërmimet, të cilat vazhdojnë edhe sot nën mbikëqyrjen e Universitetit Hacettepe.

Gjatë gërmimeve po ashtu u gjetën edhe sasi të mëdha monedhash nga periudhe helenistike dhe romake. Hapësira është ndërtuar në formën e një kompleksi dhe dyqani, i cili sipas studiuesve tregon se ishte një qendër e rëndësishme e tregtisë.

Qyteti antik Aspendos po ashtu ka amfiteatrin e tij romak, që daton në shekullin e 2-të dhe tërheq shumë turistë. Meqenëse ky teatër ka akustikë të hapur të shkëlqyeshme, ai po ashtu përdoret për festivale të ndryshme, shfaqje teatrale dhe koncerte.

Jo shumë larg qytetit antik Aspendos, në anën veriore të tij, është ujësjellësi romak, i cili thuhet se është i vjetër më shumë se 2 mijë vjet dhe qëllimi i tij ishte të siguronte ujë për të gjithë qytetin. Vendasit në këtë vend ofrojnë lëng shege të shtrydhur, që është një pije freskuese e vërtetë në kohë të temperaturave të larta.

15 kilometra në lindje të qytetit Antalya, në fushën bregdetare ndodhet një vend i gjerë me rrënoja antike, ku një akropol i vendosur atje datjon që nga epoka e bronzit. Vendi i quajtur Perge ishte një qytet antik grek në Anadoll dhe së fundmi këtë vit në rrënojat e saj u gjet një statujë 1.700 vjeçare e një femre nga periudha helenistike. Ky vend arkeologjik në qytetin antik është gërmuar në mënyrë sistematike nga Universiteti i Stambollit që nga viti 1946.

Qytetet antike Aspendos dhe Perge janë një pjesë e domosdoshme e shumë vizitorëve në rajonin Antalya, veçanërisht për dashamirët e historisë.

Megjithatë, një pjesë e domosdoshme e ofertës turistike të Antalya-s janë edhe plazhet natyrale të bukura, të gjatë, si dhe hotelet dhe resortet luksoze të cilat ofrojnë pushime të paharrueshme.

Antalya ka një pamje të bukur edhe nga ujëvarat e shumta që turistët i vizitojnë dhe i fotografojnë me admirim.

Me bukuritë e saj të shumta edhe gjatë pandemisë së COVID-19, Antalya vizitohet nga turistë të shumtë. Ky destinacion turistik turk, i cili ofron mundësi për një pushim të shëndetshëm dhe të sigurtë, nga fillimi i vitit deri në shtator priti mbi 2 milionë vizitorë nga 170 vende të ndryshme të botës, kryesisht nga Rusia, Ukraina, Gjermania, Britania e Madhe dhe Polonia.

Exit mobile version