Anketa, kompanitë e mëdha kredi për teknologji, më të voglat për inovacion

Këshilli i Investimeve ne publikimin e tij të fundit “Aksesi në financë për përmirësimin e instrumenteve të financimit” tregon se më të mëdhatë investojnë në funksion të përmirësimit teknologjik kurse ato më të vogla në inovacion dhe nevoja operacionale.

Kompanitë që trokasin në dyert e institucioneve financiare për një kredi e përdorin atë për nevoja të ndryshme dhe kjo varet shumë nga grupi ku bëjnë pjesë ato pra nëse janë kompani të mëdha apo mikro dhe të vogla.

Këshilli i Investimeve ne publikimin e tij të fundit “Aksesi në financë për përmirësimin e instrumenteve të financimit” tregon se më të mëdhatë investojnë në funksion të përmirësimit teknologjik kurse ato më të vogla në inovacion dhe nevoja operacionale.

“Në përgjithësi, objektivat parësorë për të kërkuar fonde krediti përfshijnë përmirësimin e teknologjisë, kapitalin qarkullues dhe sipërmarrjet e reja të biznesit. Kompanitë e mëdha kanë më shumë gjasa të përqendrohen në teknologji dhe pasuri të paluajtshme, ndërsa ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme i japin përparësi nevojave operacionale dhe inovacionit” vlerëson dokumenti.

I njëjti nënvizon se sektorë të ndryshëm shfaqin nevoja të veçanta financimi që përputhen me kërkesat e tyre specifike operacionale. Kështu sipërmarrjet që fokusohen tek turizmi kërkojnë kryesisht financim për ndërtime të reja, ndërsa sektori i ndërtimit fokusohet në financimin e inventarit dhe teknologjisë.

“Në mënyrë të ngjashme, sektori industrial thekson nevojën për përmirësime teknologjike dhe inventarë. Bujqësia, nga ana tjetër, kërkon financim për teknologjinë, inventarin dhe zhvillimin e ideve të reja të biznesit. Kjo nënvizon rëndësinë e zgjidhjeve të posaçme financiare që adresojnë kërkesat unike të çdo industrie për të nxitur rritjen dhe inovacionin” vlerëson KI.

Në përshtatje me zhvillimet e tregut duket se ka ecur edhe pjesa e sektorit financiar duke prezantuar produkte të reja për biznesin.

“Referuar të dhënave të pyetësorit të Sekretariatit me institucionet financiare, 714 nga 9 banka dhe 715 nga 8 institucione të mikrokreditit deklarojnë se kanë prezantuar produkte të reja për komunitetin e biznesit në tre vitet e fundit. Normat e interesit, kolaterali dhe transparenca konsiderohen si faktorë kyçë kritikë që ndikojnë në vendimet e kreditimit nga këndvështrimi i bizneseve.

Për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, kolaterali luan një rol më të rëndësishëm në sigurimin e financimit, duke reflektuar nevojën e tyre të shtuar për siguri kur marrin hua. Në të kundërt, ndërmarrjet më të mëdha mendojnë se kohëzgjatja e procesit të vendimmarrjes është faktori më me ndikim, duke treguar se aksesi në kohë në fonde është vendimtar për operacionet e tyre” vlerëson KI.