“Vizitorët nuk mund të fshehin befasinë e tyre kur shohin se orenditë shtëpiake, në fakt gjenden të vendosura në tavan”, tha Gultekin.
ANKARA (AA) – Në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, është hapur shtëpia e parë “e përmbysur”, raporton Anadolu Agency (AA).
Arkitekti, Mete Gultekin tha për AA se ndërtimi i saj ka zgjatur për gjashtë muaj, dhe se gjithçka shtrihet në 120 metra katrorë. Ai tha më tej se bëhet fjalë për shtëpinë e parë të tillë në Ankara, ndërkohë që është e dyta në Turqi.
“Vizitorët nuk mund të fshehin befasinë e tyre kur shohin se orenditë shtëpiake, në fakt gjenden të vendosura në tavan”, tha Gultekin, për të shtuar se disa nga aparatet e vendosura kanë brendinë boshe.
Në nënkulmin e shtëpisë gjendet edhe dalja për raste të emergjencës, ndërkohë që testet e kryera me sukses, konfirmojnë se vizitorët mund të ndjehen të sigurt brenda shtëpisë.
“Kemi bërë një hapësirë ku vizitorët do të mund të shikojnë brendinë duke u ndjerë të sigurt. Bëmë diçka të pazakontë në Ankara dhe shpresojmë që qytetarët të kalojnë çaste interesante”, tha Gultekin. Ai shtoi më tej se brendia e shtëpisë është bërë në atë mënyrë që të lë përshtypjen se brenda saj jeton një familje.
Brenda saj ka dhomë për fëmijë, kuzhinë dhe hapësirat tjera të zakonta.
Gultekin thotë se në botë janë gjithsej edhe 13 shtëpi tjera “të përmbysura”, të cilat janë të hapura për vizitorët. “Mendojmë se ky është një vend i bukur ku njerëzit mund të kalojnë një fundjavë. Presim që e njëjta të vizitohet kryesisht nga grupet e të rinjve dhe fëmijëve, të cilët shfaqin interes më të madh”, tha Gultekin.
Shtëpia është e hapur për vizitorët gjatë gjithë javës.