Anija turke e shpimit “Kanuni” niset për në fushën e gazit në Detin e Zi

Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore i Turqisë, Fatih Dönmez, ka bërë të ditur se anija turke e tretë e shpimit “Kanuni” është nisur nga Stambolli në rrugën për në Detin e Zi për t’u riparuar në Portin Filyos para se të fillojë misionin në fushën e gazit Sakarya, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në ceremoninë e nisjes në Portin Haydarpaşa të Stambollit, Dönmez tha se anija Kanuni pason anijen Fatih, e cila po ashtu më 29 maj u nis nga i njëjti vend për në Detin e Zi, ku zbuloi 320 miliardë metra kub gaz brenda vetëm një muaji.

“Rezervat e zbuluara në pusin Tuna-1 në fushën e gazit Sakarya u shtuan më vonë deri në 405 miliardë metra kub dhe me ketë ne përfunduam shpimin tonë të parë në Tuna-1”, tha Dönmez.

Sipas ministrit turk, zbulimi i kësaj mase mund të plotësojë kërkesat e gazit nëpër shtëpi në të gjithë Turqinë për mbi 20 vite. Ai shtoi se deri më sot Turqia prodhoi 16,9 miliardë metra gaz, ndërsa nga një shpim i vetëm arriti të zbulojë 24 herë më shumë gaz.

Për të arritur rezultate të ngjashme në Detin e Zi, anija e shpimit Kanuni u shtua në flotën e Turqisë në fillim të këtij viti. Pasi kreu mirëmbajtjen dhe përmirësimet e kërkuara në Portin Taşucu të qytetit Mersin, shpjegoi Dönmez, më 19 tetor anija mbërriti në Portin Haydarpaşa.

“Këtu shtyllat e anijes u çmontuan për të kaluar nën urën e Bosforit. Sot po dërgojmë anijen Kanuni në Portin Filyos. Anija do të jetë gati për operacione të reja pasi të ribashkohen shtyllat, pas provave të lundrimit, montimit të pajisjeve të shpimit dhe pas përfundimit të mirëmbajtjes së sistemit të sigurisë së poshtme”, njoftoi Dönmez.

Anija Kanuni, e cila u ndërtua në vitin 2012 nga kompania Samsung në Korenë e Jugut, do të fillojë shpimet e para në Detin e Zi në fillim të vitit të ardhshëm duke përdorur aftësinë e saj për të shpuar në një thellësi prej 3 mijë metrash.

Kompania energjetike braziliane Petrobras përdori këtë anije të shpimit për eksplorim të gazit deri në vitin 2015.

Shpime të reja të planifikuar për Mesdheun Lindor

Duke folur për operacionet e Turqisë në Mesdheun Lindor, Dönmez po ashtu theksoi se anija e shpimit Yavuz përfundoi operacionet në thellësi prej 6 mijë metrash në pusin Selçuklu-1 nga ku u arritën rezultate premtuese.

Ai tha se shpimet e reja do të kryhen në zonat ngjitur me pusin, pas riparimit të anijes Yavuz në Portin Taşucu në Mersin.

Anijet e shpimit Oruç Reis dhe Barbaros Hayreddin po ashtu po veprojnë në Mesdhe, ku siç njoftoi Dönmez, e para mblodhi të dhëna dy-dimensionale në lokacionin Demre-1 në det të hapur në Antalya në një zonë prej 6.822 kilometrash, ndërsa e dyta deri më tani ka mbledhur të dhëna në një zonë prej rreth 195.525 kilometrash.

“Ne do të përcaktojmë vendndodhjet tona për për misionin tonë të ardhshëm në Mesdhe sipas analizave tona të të dhënave sizmike”, theksoi Dönmez.