Në një port në Spanjën veriperëndimore ka mbërritur ngarkesa e parë e misrit ukrainas përmes një rruge të re të transportit që shmang bllokadën ruse në Detin e Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).
18 mijë tonë misër mbërritën me kamion nga Ukraina përmes Polonisë dhe Rumanisë në portin polak Swinoujscie.
Më 27 maj ajo u ngarkua në një anije mallrash që udhëtonte përmes Detit Baltik, ndaloi në dy porte gjermane dhe më pas lundroi në juf përmes Atlantikut për të arritur në qytetin A Coruna në rajonin spanjoll Galicia.
Misri u ble nga prodhuesi rajonal galician i ushqimit të kafshëve ‘Agafac’.
Megjithatë, drejtori i ‘Agafac’-it, Bruno Beade, e krahasoi dërgesën me një “kokërr rëre në plazh”, pasi Galicia kalon 95 mijë tonë misër për çdo muaj.
“Në gjysmën e parë të vitit, ne zakonisht sjellim drithëra nga Ukraina, por ajo u ndërpre plotësisht nga lufta dhe na u desh ta sillnim nga Kanadaja, Rumania dhe madje disa edhe nga Franca”, tha Beade për agjencinë e lajmeve EFE.
Ai tha se ka qenë e mjaftueshme deri në këtë pikë dhe se tani është sezoni për të filluar importin nga vendet e hemisferës jugore si Brazili.
Duke theksuar se rajoni kurrë nuk u përball me mungesën e furnizimit, Beade u ankua se çmimet e materialeve për ushqimin e kafshëve kanë arritur kulmin.
“Fermerët tashmë po përballen me çmimet e larta të energjisë, çmimet e plehrave dhe tani edhe me çmimet e ushqimit të kafshëve. Prodhimi i një litër qumësht apo një kilogram mish sot kushton dy herë më shumë sesa një vit e gjysmë më parë”, tha Beade. /aa