Të shtunën mbrëma në Duesseldorf, Anglia e mposhti në penallti Zvicrën. Ndeshja pas kohës së rregullt përfundoi 1:1, ndërsa në vazhdime nuk kishte gola të tjerë. Kështu penalltitë vendosën fituesen.
Cole Palmer i Anglisë ishte i saktë. Akanji, që ka shkëlqyer te Zvicra gjatë gjithë Evropianit, gjuajti plogësht dhe Pickford ndali gjuajtjen e tij.
Jude Bellingham dhe Fabien Schar shënuan në serinë e dytë. Bukayo Saka e Xherdan Shaqiri në të tretën, kurse Ivan Toney e Zeki Amdouni në serinë e katërt.
Përgjegjësinë për ta gjuajtur penalltinë e pestë dhe vendimtare të Anglisë e mori Trent Alexander-Arnold. Ai gjuajti shumë bukur duke mos i dhënë fare rast Yann Sommerit. Dhe kështu me fitoren 5:3 në penallti Anglia avancoi në gjysmëfinale.
Zvicra ndërkohë kthehet në shtëpi. Por lojtarët e Zvicrës mund të kthehen me kokën lartë, ndonëse nuk ia arritën qëllimit për të shkruar histori me kualifikim në gjysmëfinale.
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka shkëlqyer gjatë gjithë Evropianit. Ai udhëhoqi lojën e Zvicrës edhe të shtunën ndaj Anglisë. Ndërkohë Shaqiri hyri në lojë në minutën e 109-të. Ndikimi i tij ishte i menjëhershëm. Bëri disa pasime vendimtare, e madje e goditi edhe traversën me goditje direkt nga këndi. Por gola nuk u shënuan në vazhdime dhe më pas nga pika e bardhë më të saktë ishin lojtarët e Anglisë.
Anglia e luan ndeshjen gjysmëfinale më 10 korrik në Dortmund.