Një gjobë prej 5000 paundë, afro 6 mijë euro, do të aplikohet për këdo në Angli që përpiqet të udhëtojë jashtë vendit pa ndonjë arsye të mirë.
Gjoba pritet të hyjë në fuqi javën e ardhshme si pjesë e ligjeve të reja të koronavirusit.
Dënimi do të përfshihet në legjislacionin e ri që do të votohet nga deputetët të enjten.
Pushimet jashtë vendit për britanikët aktualisht nuk lejohen sipas rregullit “qëndrimi në shtëpi”, i cili përfundon të hënën.
Por ndalimi i largimit nga Britania e Madhe në këtë kohë pandemie do të bëhet me një ligj specifik i mbështetur nga kërcënimi me një gjobë të majme për ata që nuk do ta respektojnë atë.
Sipas planit aktual për lehtësimin e kufizimeve, data më e hershme që njerëzit në Angli mund të shkojnë jashtë për pushime, do të ishte 17 maji.
Sidoqoftë, një rritje tjetër e rasteve të Covid në Evropën kontinentale, si dhe shtrirja e ngadaltë e vaksinave në të gjithë Evropën, ka hedhur dyshime për rifillimin e udhëtimeve të huaja nga britanikët.
Sekretari i Shëndetësisë Matt Hancock tha se kufizimet për të udhëtuar jashtë ishin të domosdoshme për të shmangur importimin e një numri të madh të rasteve dhe varianteve të reja që mund të vinin në rrezik vaksinat që janë aktualisht në përdorim.
Kryeministri Boris Johnson paralajmëroi të hënën se Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të ketë “asnjë iluzion” që të ndiejë efektet e një numri në rritje të rasteve në kontinent.
Një nga ministrat e tij, Lord Bethell, tha se Anglia mund të vendosë “të gjithë fqinjët tanë Evropianë” në “listën e zonës së kuqe”. /noa