Angli, katërfishohet numri i pacientëve me grip në spitale

Rastet e gripit kanë vazhduar të kulmojnë në Angli, me më shumë se 5 mijë pacientë të shtruar në spital përpara Vitit të Ri, transmeton Anadolu.

Sipas shifrave të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit (NHS), që mbulojnë periudhën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, javën e kaluar kishte mesatarisht 4.469 pacientë me grip për çdo ditë në spitale, përfshirë 211 në ditë në kujdes intensiv, shifër e cila është pothuajse 3,5 herë më e lartë se ajo në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në ditën e Krishtlindjeve, sipas të dhënave zyrtare, 4.102 pacientë me grip u shtruan në spital, duke u rritur në 5.074 deri të dielën, më 29 dhjetor.

Shifrat e reja tregojnë se shtrimet në spital nga rastet e gripit janë katërfishuar në një muaj.

NHS-ja paralajmëroi se presioni do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2025, me alarmet shëndetësore të të ftohtit për Anglinë të lëshuara nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) pasi temperaturat në ditët në vijim do të bien nën zero.

“Spitalet akoma po përjetojnë presion nga një sërë virusesh, me një mesatare prej 723 pacientësh me norovirus në spitale në javën që përfundoi më 22 dhjetor dhe me 528 pacientë për çdo ditë javën e kaluar. Edhe pse kjo shifër ka shënuar rënie, ajo mbetet 40 për qind më e lartë se 378 pacientë në të njëjtën javë të vitit të kaluar”, tha NHS-ja.

Autoritetet shëndetësore gjithashtu njoftuan se ka pasur një mesatare prej 74 fëmijësh me virus ‘RSV’ për çdo ditë javën e kaluar, si dhe një mesatare prej 1.184 shtretërish të zënë nga pacientët me COVID. Në vitin 2023, në të njëjtën javë kishte rreth 50 fëmijë në ditë të shtruar në spital me virusin ‘RSV’.

“Këto shifra të fundit tregojnë se presioni nga gripi nuk ishte aspak afër për të shënuar rënie para se të niseshim për Vitin e Ri, duke u rritur në mbi 5 mijë raste në ditë në spitale në fund të javës së kaluar dhe duke u rritur me një shkallë shumë shqetësuese”, tha Julian Redhead, drejtori klinik kombëtar i NHS-së për kujdesin urgjent.

Redhead paralajmëroi se në virusin e gripit ka edhe presion të vazhdueshëm nga COVID, derisa rastet spitalore me ‘RSV’ dhe norovirus po ashtu janë më të larta se vitin e kaluar.

Sipas sekretarit britanik të Shëndetësisë dhe Kujdesit Social, Wes Streeting, vala e gripit këtë dimër ka regjistruar tri herë më shumë pacientë në spital në krahasim me vitin e kaluar, duke shkaktuar presione të mëdha për NHS-në.