Anglia nuk ka pasur telashe për të zënë vend në çerekfinale të Kupës së Botës në Katar.
Në kuadër të një të tetës së finales, Anglia fitoi bindshëm dhe relativisht lehtë ndaj Senegalit. 3:0 ishte rezultati në fund të ndeshjes në stadiumin “Al Bayt” në Al Khor. Anglezët kanë shënuar golat nga aksione të bukur. Dhe çështjen e fituesit thuajse e mbyllën në pjesën e parë. Ndeshja nuk ishte prej atyre të nivelit më të lartë në Botëror, por Anglia bëri aq sa i duhej për të fituar bindshëm.
Për 1:0 shënoi Jordan Henderson. Ai realizoi në minutën e 38-të pas asistimit të Jude Bellinghamit.
Për 2:0 shënoi kapiteni Harry Kane, në minutën e tretë të kohës shtesë në pjesën e parë. Phil Foden ishte asistues. Foden asistoi edhe në golin e tretë, të cilin e shënoi Bukayo Saka në minutën e 57-të.
Anglia kishte tetë tentime për gol, ndërsa Senegali i kishte dhjetë. Por përfaqësuesja afrikane e kishte vetëm një gjuajtje në kornizë të portës, derisa Anglia i kishte katër. Në çerekfinale, Anglia takohet me kampionen në fuqi të botës, Francën. Ndeshja luhet po ashtu në stadiumin “Al Bayt”, më 10 dhjetor.