Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Refugjatët pranë OKB-së, Angelina Jolie, ka hedhur kritika ndaj Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, rreth dekretit për refugjatët dhe ndalimit të vizave për 7 vende muslimane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një shkrim për “New York Times”, Jolie, ka thënë se kufizimi i pranimit të refugjatëve dhe ndalimi i vizave për qytetarët e 7 vendeve muslimane, nuk është stili i SHBA-së.
Ajo e ka konsideruar diskriminimin dhe racizmin ndaj refugjatëve si “një ftesë për destabilitet nga i cili po mundohemi të largohemi”.
Duke vënë në dukje se sa më shumë të largohen nga vlerat e veta aq më shumë do të ketë problem, Jolie në vijim ka shtuar: “Nuk është në stilin tonë të diskriminojmë refugjatët duke i mbyllur dyert apo të bëjmë dallim mes tyre. Kjo nuk na bën ne një shtet më të sigurtë”.
Jolie ka thënë se refugjatët që ikin nga vendet e konfliktit kanë më shumë nevojë për shërbimet shëndetësore, ndërsa ka theksuar se ata të cilët janë pranuar në SHBA, kanë kaluar në filtra të ndryshëm nga institucionet të cilët kujdesen për ta.