Angela Merkel, përsëri gruaja më e fuqishme në botë

 Revista amerikane “Forbes” ka shpallur kancelaren gjermane Angela Merkel gruan më të fuqishme në botë për vitin 2017, transmeton Anadolu Agency (AA). Ky është viti i shtatë radhazi, që “Forbes” përzgjedh kancelaren gjermane për gruan më të fuqishme në botë, nga gjithsej 12 përzgjedhje sa ka bërë deri më sot, shkruan “The Guardian”.

Vendin e parë në listë, Merkel e vulosi me fitoren e fundit në zgjedhjet federale në shtator të këtij viti, ku siguroi mandatin e saj të katërt. Vendi i dytë i ka takuar kryeministres britanike, Theresa May, përkundër një viti shumë të vështirë në të cilin partia e saj nuk arriti të marrë shumicën parlamentare në zgjedhjet të cilat u mbajtën në qershor.

Qasja e saj ndaj Brexitit, një proces që do të ketë pasoja afatgjata për Britaninë e Madhe dhe pjesën tjetër të Evropës, ka bërë që May përkundër brishtësisë politike të mbetet njëra nga figurat politike botërore. E treta në listën me 100 gratë më të fuqishme në botë është filantropistja dhe afaristja amerikane Melinda Gates.

E katërta radhitet Sheryl Sandberg, drejtore ekzekutive e Facebookut, ndërsa e pesta është drejtoresha ekzekutive e General Motors, Mary Barra. Për herë të parë në listën e Forbes për 100 gratë më të fuqishme është radhitur Ivanka Trump, e bija, njëherësh këshilltare e presidentit amerikan Donald Trump. Në konkurrencë ajo është renditur në vendin e 19-të, ndërsa për herë të parë, në këtë listë ka hyrë edhe Nikki Haley, ambasadore e SHBA-ve në OKB (vendi 43), dhe aktorja Priyanka Chopra (vendi i 97-të), aktualisht ambasadore e UNICEF-it e Vullnetit të Mirë.

Ish-zonja e Parë amerikane, Michelle Obama, nuk është fare në këtë listë, pasi vitin e kaluar lëshoi Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Hillary Clinton e cila në listën e Forbesit ka qenë e pranishme që nga viti 2004, ka rënë nga pozita e dytë, vitin e kaluar, në vendin e 65-të.