Kancelarja gjermane Angela Merkel në një mesazh ngushëllimi dërguar Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, ka dënuar sulmin terrorist në një klub nate në lagjen Ortakoy të Stambollit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Terroristët kanë sulmuar edhe një herë vendin tuaj. Në Stamboll, ndaj njerëzve që dëshironin të festojnë Vitin e Ri është kryer një sulm çnjerëzor që denigron vlerat njerëzore. E dënoj sulmin dhe shpreh ngushëllimet e mia për ju. Mendimet e mia këtë mëngjes janë për viktimat, familjet dhe miqtë e tyre”, tha Merkel në mesazhin e saj.
Sulmin terrorist i kryer në prag të Vitit të Ri që la të vdekur 39 persona e ka dënuar edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
Steinmeier tha se Stambolli “edhe një herë ishte viktimë e një ngjarje të tmerrshme dhe të përgjakshme” dhe se “është i tronditur me lajmin në prag të Vitit të Ri që arriti nga Bosfori”.
Ai deklaroi se viktimat ishin njerëz të pafajshëm të një sulmi qyqar. Ata, si miliona njerëz në botë deshën të presin bashkë vitin e ri pa probleme.
“E dënojmë ashpër këtë akt dhe çfarë do lloj forme të terrorizmit. Jemi me Turqinë në këto momente të vështira”, tha Steinmeier, i cili familjeve të viktimave u shprehu ngushëllime ndërsa të plagosurve shërim të shpejtë.