Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së shprehin shqetësim rreth sulmeve izraelite ndaj spitaleve në Gaza

Disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së shprehën shqetësimin për sulmet izraelite ndaj spitaleve në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

“Shënjestrimi i qëllimshëm i personelit mjekësor të spitaleve, pacientëve dhe të plagosurve, kundërshton çdo parim të ligjit humanitar dhe nuk ka asnjë justifikim”, tha Asim Iftikhar, i dërguari i Pakistanit në OKB, në takimin e Këshillit të Sigurimit mbi situatën në Lindjen e Mesme.

Takimi erdhi pas bastisjes së javës së kaluar në spitalin Kamal Adwan dhe arrestimit dhe ndalimit arbitrar të drejtorit të tij, Hussam Abu Safiya.

Iftikhar tha se askund e drejta ndërkombëtare humanitare nuk “shkelet” siç është rasti në Gaza, duke vënë në dukje se veprimet izraelite janë të pajustifikuara dhe kërkojnë urgjentisht përgjegjësi.

“Shkalla e kësaj fushate gjenocidale është tronditëse. Qëllimi i saj është i pagabueshëm. Shtëpitë, shkollat, spitalet dhe madje edhe trashëgimia kulturore e Gazës janë në gërmadha. Edhe OKB-ja dhe personeli i saj nuk janë kursyer. Kjo nuk është një luftë,” tha Iftikhar, duke shtuar:

“Është një fushatë shpronësimi, spastrimi etnik dhe asgjësimi, bombardimi pa kriter i civilëve dhe shkatërrimi sistematik i infrastrukturës kritike, këto nuk janë incidente të izoluara. Këto janë akte të llogaritura që synojnë fshirjen e një populli të tërë nga atdheu i tyre”, tha ai.

Ambasadori gjithashtu i bëri thirrje Këshillit që të mbajë përgjegjësinë e tij dhe të mos mbyllë sytë para tragjedisë. “Heshtja është bashkëpunim”, shtoi ai.

– “Izraeli duhet t’i bindet ligjit ndërkombëtar humanitar”

I dërguari i Francës në OKB, Nicolas de Riviere, tha se Franca dënon operacionet e fundit ushtarake izraelite që synojnë disa spitale, në veçanti spitalin Kamal Adwan.

“Izraeli duhet t’i bindet ligjit ndërkombëtar humanitar. Kjo kërkon respekt dhe mbrojtje të stafit mjekësor dhe infrastrukturës”, tha ai.

Duke i bërë thirrje Izraelit të lejojë ndihmën humanitare, de Riviere tha se të gjitha pikat e kalimit duhet të jenë të hapura dhe autokolonat humanitare dhe stafi duhet të mbrohen.

Përfaqësuesi i Përhershëm i Algjerisë në OKB, Amar Bendjama, tha se agresioni i vazhdueshëm izraelit kundër popullit palestinez, veçanërisht në Gaza, ka një “objektiv të qartë dhe alarmues” që është “spastrimi etnik”, veçanërisht në veri të Gazës.

“Fuqia pushtuese izraelite synon të shfarrosë qëndrueshmërinë e popullit palestinez. Ne duhet të veprojmë së bashku për t’i dhënë fund kësaj tragjedie”, tha ai.

Bendjama gjithashtu i bëri thirrje Këshillit të kërkojë një armëpushim “të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm” në Gaza.

Zv.përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në OKB, Dorothy Shea, tha se civilët nuk mund të lihen pa spitale funksionale ose pa kujdes të duhur mjekësor.

“Është jetike për Izraelin që të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të parandaluar dëmtimin e civilëve, veçanërisht pasi lidhet me pacientët që marrin kujdes në spitalin Kamal Adwan dhe profesionistët mjekësorë të përkushtuar për trajtimin e popullatës”, tha ajo.

SHBA-ja i bëri të qartë Izraelit se duhet të bëjë më shumë për të adresuar këto mungesa humanitare të parandalueshme, shtoi Shea.

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, tha se Moska është “shumë e shqetësuar” për granatimet dhe bombardimet e vazhdueshme të Izraelit ndaj objekteve civile në territorin e Rripit të Gazës.

Duke i bërë thirrje Izraelit që t’i bindet ligjit ndërkombëtar humanitar, Nebenzya tha se spitalet nuk mund të bëhen vende ku zhvillohen fushabeteja.

“Ato nuk mund të përdoren për qëllime ushtarake. Dhe punonjësit mjekësorë duhet të kenë mundësi për të përmbushur pa pengesa detyrën e tyre civile dhe detyrën e tyre morale”, shtoi ai.

Ushtria izraelite ka vazhduar një luftë gjenocidale në Gaza duke vrarë më shumë se 45.650 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, pavarësisht nga një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Në nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhrarreste për kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.