Anëtarësimi i Ukrainës në NATO është i arritshëm, thotë Zelensky

Volodymyr Zelensky

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO është “i arritshëm”, por Kievit do të duhet të luftojë për të bindur aleatët që ta bëjnë këtë, u ka thënë presidenti, Volodymyr Zelensky, diplomatëve ukrainas në një fjalim të dielën.

Ukraina i ka kërkuar vazhdimisht NATO-s që të ftojë Kievin për t’u bërë anëtare. Aleanca ushtarake perëndimore ka thënë se Ukraina do t’i bashkohet radhëve të saj një ditë, por nuk ka caktuar një datë ose nuk ka lëshuar një ftesë, raporton Reuters.

Moska ka përmendur mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO si një nga justifikimet kryesore për pushtimin e saj në vitin 2022. Kievi zyrtar thotë se anëtarësimi në paktin e mbrojtjes reciproke të aleancës perëndimore, ose një formë ekuivalente e garancisë së sigurisë, do të ishte vendimtare për çdo plan paqeje për të siguruar që Rusia të mos sulmojë përsëri.

“Ne të gjithë e kuptojmë se ftesa e Ukrainës në NATO dhe anëtarësimi në aleancë mund të jetë vetëm një vendim politik. Aleanca për Ukrainën është e arritshme, por është e arritshme vetëm nëse luftojmë për këtë vendim në të gjitha nivelet e nevojshme”, u ka thënë Zelensky diplomatëve në një tubim në Kiev.

Ai ka shtuar se aleatët duhet të dinë se çfarë mund t’i sjellë Ukraina NATO-s dhe se si anëtarësimi i saj në aleancë do të stabilizonte marrëdhëniet globale.

Javën e kaluar Zelensky u kërkoi vendeve evropiane të ofrojnë garanci për të mbrojtur Ukrainën pas përfundimit të luftës me Rusinë dhe tha se Ukraina në fund do të kishte nevojë për më shumë mbrojtje përmes anëtarësimit në aleancë. /koha