Ancelotti synon stolin e kombëtares së Brazilit

Carlo Ancelotti mund ta mbyllë karrierën e tij si trajner duke drejtuar një kombëtare, dhe Brazili është destinacioni më i mundshëm.

Prej kohësh, tekniku i Real Madridit ka qenë një dëshirë e madhe e Federatës Braziliane, dhe pas humbjes së fundit ndaj Argjentinës, pozicioni i trajnerit aktual, Dorival, është vënë në pikëpyetje.

Sipas raportimeve nga “Globo”, Brazili ka nisur kontaktet me Ancelottin, i cili mbetet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kombëtares në Botërorin 2026.

65-vjeçari italian ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar ofertën, por vendimin përfundimtar pritet ta marrë pas Botërorit të Klubeve në korrik 2025.

Ky nuk është tentimi i parë i Brazilit për ta bindur Ancelottin.

Edhe në vitin 2023, ata u përpoqën ta afronin në stolin e tyre, por italiani zgjodhi të rinovonte me Real Madridin.

Tani, me të ardhmen e tij në Madrid ende të pasigurt, një aventurë në stolin e pesë herë kampionëve të botës duket më e mundshme se kurrë.