Vendimi për sanksione ndaj Katarit, vend ky që së bashku me Omanin gjithnjë kanë ndjekur politikë të ndryshme dhe të pavarur nga shtetet e tjera të Gjirit nën protektoratin e Arabisë Saudite, edhe pse pritej muajt e fundit nga ata që ndjekin shtypin e Gjirit, nuk ishte paramenduar se do të ishte kaq i ashpër.
Ndjekja e një politike ndryshe e Katarit për dallim nga shtetet e tjera të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit daton shumë më herët. Që nga vitet kur familja udhëheqëse e Katarit filloi të formohet si një entitet historiko-politik, gjithnjë ka tërhequr vëmendje rruga që vendi ka ndjekur, ndryshe nga ajo e Arabisë Saudite dhe shteteve të tjera të Gjirit. Influenca në rajon e familjes Al Halife, që drejton Bahreinin që nga fundi i shekullit të 18-të, ishte sfiduar në mënyrë serizse pasi pothuajse pas gjysmë shekulli familja Al Thani ishte njohur nga britanikët si lidere e rajonit.
Shteti i Katarit dhe politika e pavarësisë
Katari është ndjekur gjithnjë nga themeluesit e Arabisë Saudite, të cilët e kanë konsideruar atë si një pjesë natyrore të Gadishullit Arabik, duke dashur ta marrin nën ndikimin e tyre. Familja udhëheqëse e Katarit ka shpëtuar nga kjo gjë vetëm duke bashkëpunuar me qeverinë osmane. Ndërkaq, osmanët, pas rezistencës ndaj këtyre trysnive deri në vitin 1916, më pas lëshuan vendin në duar të britanikëve. Gjendja e njëjtë ishte përsëritur edhe gjatë krijimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, kur Katari u ftua të jetë pjesë e këtij entiteti, por nuk pranoi dhe zgjodhi rrugën e të qënit shtet i pavarur. Madje, fakti që Katari ka përdorur emrin Devletu Katar (Shteti i Katarit), ndryshe nga shtetet e tjera të Gjirit që në emrat e tyre zyrtarë përdorin fjalët “mbretëri”, “emirat” dhe “sulltanat”, mund të interpretohet si simbol i kësaj politike të pavarur të saj.
Ky qëndrim i pavarur i Katarit u shndërrua në një realitet në mesin e emirateve dhe sulltanateve të Gjirit të kryesuara nga Arabia Saudite dhe vazhdoi deri në krizën aktuale. Në fakt, kjo krizë është hallka e fundit e krizave periodike në marrëdhëniet mes shteteve të Gjirit që janë anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe Katarit, dhe për shkak të kohës kur ndodh dhe intensitetit për një çast bëhet çështja më e përfolur e Lindjes së Mesme.
Këto kriza periodike filluan të bëhen konsekuente posaçërisht pas ardhjes në pushtet të Shejh Hamadit, babait të emirit aktual Shejh Temim, në vitin 1995. Politika e transmetimit e Al Jazeeras, e themeluar nga shteti i Katarit në vitin 1996 si një mjet i soft power-it (fuqisë së butë) e cila me qëndrimin e saj liberal dhe protransparent për një kohë të shkurtër u shndërrua në televizionin më të ndjekur në botën arabe, mund të perceptohet si simboli më i rëndësishëm i marrëdhënieve problematike mes shteteve të Gjirit dhe Katarit.
Krahas televizionit Al Jazeera, edhe gjatë periudhës së Shejh Hamadit, politika e jashtme e Katarit dallohej nga ajo e Arabisë Saudite dhe shteteve të Gjirit. Ndryshe nga shtetet e Gjirit të kryesuara nga Arabia Saudite që përkrahën Lëvizjen Fatah, Katari përkrahu Hamasin, si dhe ashtu siç përkrahu Vëllazërinë Muslimane përballë lëvizjeve selefiste në Egjipt, së bashku me Omanin kanë ndjekur politikë të dalluar dhe kanë treguar marrëdhënie të mira me Iranin. Krahas që marrëdhëniet mes Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe Iranit gjithmonë kanë qenë të vështira, shtetet anëtare të Këshillit janë treguar të kujdesshëm që t’i mbajnë të mira posaçërisht marrëdhëniet tregtare me Iranin në mënyrë reciproke. Ironikisht, shteti i Gjirit që ka marrëdhënie më të mira me Iranin janë Emiratet e Bashkuara Arabe.
Procesi i Pranverës Arabe
Ndaj Shejh Hamadit, i cili në vitin 1995 kundërshtoi presidencën e Arabisë Saudite në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, ishin ndërmarrë dy grusht shtete të dështuara, gjë që kishte tensionuar marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Katarit. Në vitin 2002, Arabia Saudite tërhoqi ambasadorin nga Katari për shkak të politikës transmetuese të Al Jazeeras. Ndërkaq, periudha më e vështirë në marrëdhëniet mes Katarit dhe Gjirit ndodhi me fillimin e procesit që u quajt Pranvera Arabe në vitin 2011. Veçanërisht në proceset në Egjipt dhe Libi hasi në mospajtim me Emiratet e Bashkuara Arabe, armikun e pamëshirshëm të Vëllazërisë Muslimane. Arsyet themelore të kësaj krize i përbënte fakti që Katari u dha mundësi strehimi në kryeqytetin Doha anëtarëve të Vëllazërisë Muslimane.
Në ndërkohë, megjithëse në vitin 2013 shtetet e Gjirit e pritën me shpresë ndryshimin e pushtetit në Katar, Shejh Temim dukej i vendosur në vazhdimin e politikave të të atit. Rrjedhimisht, ai u ftua në Rijad dhe ishte i detyruar të nënshkruante një marrëveshje sigurie në bazë të kërkesave të Arabisë Saudite dhe shteteve të Gjirit. Në fakt, shtetet e Gjirit kishin tërhequr ambasadorët nga Doha në vitin 2014 duke pretenduar se Katari nuk i ka plotësuar kushtet e kësaj marrëveshjeje. Shkak i krizës së vitit 2014 ishte sërish strehimi i anëtarëve të Vëllazërisë Muslimane në Doha. Edhe kjo krizë ishte zgjidhur me ndërmjetësimin e shejhut të Kuvajtit Sabah al-Ahmed dhe largimin e anëtarëve të Vëllazërisë Muslimane nga vendi.
Për sa i përket krizës së fundit, ajo filloi me akuza nga Arabia Saudite, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe drejtuar Katarit, për të cilin pretenduan se kërcënon sigurinë rajonale dhe bashkëpunon me Vëllazërinë Muslimane. Kërkesat e shteteve të Gjirit, në mes të tjerash, ishin që Katari të mos strehojë anëtarë të Vëllazërisë Muslimane, të ndryshojë politikën transmetuese të Al Jazeeras dhe të mos mbështesë kanalet dhe teologët e afërt me Vëllazërinë Muslimane. Nga mesi i muajit prill Katari i kishte pranuar këto kërkesa. Megjithatë, e gjithë çfarë ndodhi, ndodhi pas vizitës së presidentit amerikan. Zjarri u ndez pas rrjedhjes së një deklarate të paqenë që iu atribuua shejhut të Katarit Al-Thani. Edhe pse Katari deklaroi se kjo në fakt ka qenë sulm kibernetik, duke e përgënjeshtruar deklaratën e atribuuar, shtypi i Gjirit e pranoi si të vërtetë atë dhe shkoi në nivel më lartë dhe më në fund kriza arriti kulmin në të cilin gjendet aktualisht
Kriza është pjesë e planit të madh
Kronologjia e lartëpërshkruar në fakt tregon shumë gjëra. Arabia Saudite, e cila ka pretendime të rëndësishme për sa i përket lidershipit mbi botën islame dhe arabe që nga e kaluara, i ka dhënë Katarit mesazhin mbi atë se kush është padron i rajonit dhe se tani duhet të vendosë se në anën e kujt është. Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit, duke kërkuar përforcimin e unitetit kundër Iranit, treguan ashpër se në rajon nuk duan zë plasaritjeje. Kjo, sepse me marrëveshjen gjatë vizitës së Trumpit, Arabia Saudite forcoi mbështetjen kundër Iranit dhe, rrjedhimisht, pret bindje të pakusht ndaj lidershipit të saj në rajon.
Edhe pse zhvillimet duken si një problem i daljes nga linja brenda Gjrit kur shikohen në përmasa mikro, është mase e qartë se kriza është pjesë e një plani makro, duke patur parasysh simultanitetin me periudhën pas vizitës së Trumpit dhe delikatesën e gjendjes së përgjithshme në Lindjen e Mesme, sepse orientimi i Trumpit kah politika kundër Iranit dhe ndjekja e politikës për rrethimin e Iranit, prioritet i luftës kundër organizatave terroriste në rajon siç është DEASH-i, në plan të madh synojnë forcimin e frontit me të gjitha shtetet e Gjirit kundër Iranit.
Kjo në të njëjtën kohë do të thotë më shumë shitje armësh drejt shteteve të pasura të Gjirit kundër kërcënimit nga Irani. Kjo është një mundësi e rëndësishme për Trumpin, afaristi në gjendje shumë të vështirë i cili gjatë fushatës elektorale u kishte premtuar qytetarëve amerikanë më shumë pasuri. Natyrisht, mbrojtja e shteteve të pasura të Gjirit nga ekspansioni i ndikimit iranian ka çmimin e saj. Sigurisht, shteti që furnizon PYD-në terroriste me armë ka nevojë për kurbanin e tij lidhur me financimin e organizatave radikale terroriste.
Kjo gjendje mund të perceptohet edhe si lëvizje për ta detyruar Turqinë – e cila, sikurse Katari, viteve të fundit përpiqet të ndjek politikë të pavarur dhe kundërshton SHBA-të lidhur me atë që organizata terroriste PYD/YPG të përdoret kundër DEASH-it – të radhitet në kampin kundër Iranit, me të cilën Turqia përpiqet të krijojë marrëdhënie të mira. Andaj, edhe vizita e djeshme e ministrit të Jashtëm iranian Zarif në Turqi ka të bëjë për së afërmi me krizën e Katarit. Natyrisht, vazhdon të mbetet e paqartë nëse në anën e Iranit në këtë çështje do të radhitet Rusia, e cila veçmë është aleat i Iranit në Siri – sepse kjo gjendje mund të jetë shkaktar i një lufte rajonale dhe globale.
(Prof. Dr. Cengiz Tomar është ekspert i historisë politike të Lindjes së Mesme dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ligjërues në Departamentin e Historisë të Fakultetit të Letërsisë dhe Shkencës dhe Institutin e Hulumtimeve të Lindjes së Mesme pranë Universitetit Marmara)