Shkruan: Hoxhë Halil Avdulli
A janë kushtet dhe rrethanat politike formësuese të kulturës se një shoqërie apo është kultura e trashëguar ajo që prodhon një sistem politik?
A është Serbia shkaku i të gjitha problemeve tona të brendshme apo është shembja e sistemit imunitar qe i bëmë padhembshëm vendit tonë?
Faktori i brendshëm është baza e interpretimit të fenomeneve njerëzore sepse Zoti i Madhëruar, i dha njeriut fuqi, në mënyrë që askush të mos ketë autoritet mbi të, përveç nëse ai vetë heq dorë nga fuqia e tij dhe pranon skllavërimin dhe përbuzjen. Askush nuk mund të përdorë për kalërim shpinën tënde, përveç nëse e gjen të përkulur, thotë Martin Luther Kingu. Libri i ynë i shenjtë e thellon këtë koncept edhe më tutje, duke nënvizuar rolin e faktorit të brendshëm në të gjitha problemet që mund t’i ndodhin një shoqërie.
Në njërën nga betejat e myslimanëve të parë, e ashtuquajtura “Beteja e Uhudit”, Zoti i Madhërishëm tregon arsyen reale të pësimit dhe disfatës në këtë betejë: ”Thuaj kjo është nga vetët tuaja”. Madje edhe vet djalli si simbol i të keqes si tërësi, në ekzistencë nuk mund të mashtroj askënd, vetëm atëherë kur kapacitetet e brendshme nuk funksionojnë dhe me këtë rast njeriu bëhet gjah i tij, në Kuran citohen fjalët e djallit:
”Unë nuk kisha asnjëfarë pushteti mbi ju, përveç që ju ftova dhe ju m’u përgjigjet”. Edhe realiteti i drejtësisë hyjnore e kërkon që njerëzit të mos ndëshkohen nga një armik i jashtëm, nëse nuk shkaktojnë çekuilibrim të brendshëm dhe si të tillë gjunjëzohen për t’u dominuar nga armiku. Këto nuk janë vetëm kuptime fetare abstrakte, por janë edhe përmbledhje e përvojave sociale historike që manifestohen si “ligje shoqërore”, gjykojnë lëvizjet e njeriut, shoqërisë, historisë dhe civilizimeve.
Shoqëritë e mobilizuara e të fortifikuara, me vetëdije të lartë kulturore, shfuqizojnë gjithherë komplotet e jashtme. Niveli i lartë i transparencës morale, ndërgjegjësimi politik elitarë brenda shoqërisë, imunizon shoqërinë kundër çdo depërtimi të së keqes nga jashtë, duke izoluar edhe nga brenda çdo skemë të çoroditur. Kur i shohim të gjitha këto degjenerime dhe akrobacione të partive politike ditëve të fundit, pyesim se si është e mundur t’i duroj kjo shoqëri me gjithë këto bastardime të vlerave politike?!
A po mos vallë këto manipulime janë rezultat edhe i një degjenerimi kulturorë që në fakt do të duhej të ishte më shqetësues për ne, se sa degjenerimet politike në vend?
Të gjitha analizat e ngjarjeve dhe kombinimeve politike qe i bëjmë sot duke injoruar faktorët shoqërorë dhe kulturorë qe i rrethojnë këto ngjarje politike, janë të ngjashme me urdhrin e mjekut për të për të marrë pilulën kundër temperaturës pa rekomandimin e barit kundër patogjenit që është aktiv në fshehtësi. Fundja, këta politikanë të korruptuar mund t’i ndëshkojmë edhe me një votë të lirë demokratike, por çfarë do bëjmë me këtë nivel kulturorë e social të shoqërisë tonë, e cila mund të lejojë të posa votuarit e rinj të korruptohen përsëri.