Analistët: Ushtria dhe pezullimi i dialogut me Serbinë, reagim ndaj Gjykatës Speciale

Projektligjin për FSK-në dhe rezolutën për pezullim dialogu analistët e shohin si përpjekje për definim të politikës kosovare dhe reagim ndaj Gjykatës Speciale.

Analisti Belul Beqaj “rebelimin” e Kosovës karshi Perëndimit pas përpjekjeve për transformim të FSK-së pa ndryshime kushtetuese dhe rezolutës së Kuvendit që kërkon suspendimin e dialogut deri në lirim të Ramush Haradinajt, e lidh me paralajmërimin e nisjes së punës së Gjykatës Speciale.“Të gjitha këto veprime e kanë një zanafillë disavjeçare, por asnjëherë gjatë këtyre viteve nuk janë kontestuar kaq fuqishëm”, thotë analisti Belul Beqaj.
I NGJAJSHËM
KË PO E KËRCËNON THAÇI ME DORËHEQJE?
Beqaj shpreh bindjen se me veprimet e fundit nuk po ngrihet ndërgjegjja politike, por po shfaqet frika e të fuqishmëve nga Specialja.[Kundërshtimet e fundit] burimin e vetëm nuk e kanë në ngritjen e ndërgjegjes politike, por në ndjenjën e rrezikimit personal të disa individëve të ‘fuqishëm’ politikë të përfshirë në listën e personave të dyshuar nga Gjykata Speciale që po bartet tek vartësit e tyre në Parlament, shoqatë të veteranëve dhe parti e disa media”, mendon Beqaj.Por analisti Naim Rashiti përmend arsye tjera për veprimet e fundit të politikës kosovare.“Ka të bëjë me zhvilimet e brendshme të viteve të fundit dhe njëlloj reflektimi në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare në veçanti me dialogun me Serbinë. Pritjet nga dialogu me Serbinë ose frustrimi në lidhje me rezultatet është në rritje, me mungesën e avancimit të normalizimit, arrestimin e zotit Haradinaj, një lloj hije e vitit 1999 ende mbetet aty”, thotë Rashiti.Belul Beqaj shtyrjen përpara të Projektligjit për FSK-në në një kohë kur atij i dolën kundër NATO-ja dhe ShBA-ja, rezolutën për pezullim të dialogut dhe kërkesën për rishqyrtim në Kuvend të Gjykatës Speciale i quan përbuzje të miqësisë me faktorët ndërkombëtarë.“Dorën në zemër, veprimet e fundit siç janë: rasti me Projektligjin për FSK-në, rivlerësimi i fushëveprimit të Gjykatës Speciale dhe pezullimi i dialogut janë argumente serioze që flasin për përbuzjen e miqësisë me faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë”, thotë Beqaj.Ndërsa Naim Rashiti këto veprime të politikës kosovare nuk i sheh si rebelim.“Nuk është rebelim, është ni lloj definimi. Është një lloj rritje e presionit e Prishtinës ndaj gjithë politikës së faktorit ndërkombëtar për të qenë më e pranueshme, më e hapur për interesat e Kosovës”, thotë Rashiti.Por Beqaj veprimet kosovare që shkaktuan reagimin kundërshtues të perëndimit i lidh “me dëshirën për protagonizëm të Presidentit Thaçi”.“Ai do të vazhdojë për ta luajtur rolin e ‘kryeprotagonistit politik’ nga i cili, gjoja se, tensionohet dhe shtensionohet gjendja, krijohet kaosi dhe stabiliteti, thellohet kriza apo zgjidhet kriza… me shpresë se në një situatë të tillë ‘kryeprotagonisti’ do të shpëtojë nga Gjykata Speciale”, tha Beqaj për Thaçin.Presidenti Thaçi më 7 mars ia dorëzoi Kadri Veselit Projektligjin për FSK-në me anë të të cilit Forcës së Sigurisë së Kosovës synohet t’i jepen kompetenca ushtarake.Pastaj këtë projektligj më 8 mars Kryesia e Kuvendit ia dorëzoi Qeverisë së Kosovës për mendim.Thaçi veprimin e tij e arsyetoi me pamundësinë që FSK-ja të transformohet me ndryshime kushtetuese, pasi bërjen e FSK-së ushtri e kundërshton Lista Serbe.FSK-ja mund të transformohet me ndryshime kushtetuese me votat e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe shumicës së deputetëvë të komuniteteve.Ndaj këtyre veprimeve reaguan NATO-ja dhe ambasada e SHBA-së në Kosovë që thanë se janë për transformim të FSK-në nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.Por Thaçi deklaroi dje në RTK se do të japë dorëheqje nësë FSK-ja nuk transformohet.Edhe Kuvendi i Kosovës para dy ditësh miratoi një rezolutë për Ramush Haradinajn në të cilën u kërkon institucioneve kosovare pezullimin e dialogut të Brukselit Kosovë-Serbi deri në lirimin e Ramush Haradinajt.Haradinaj u arrestua nga autoritetet franceze më 4 janar me një fletarrest të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia, e cila po kërkon ekstradimin e tij.Për kërkesën ekstraduese të Serbisë ndaj Haradinajt gjykata në qytetin Colmar të Francës pritet të vendosë më 6 prill.Edhe rezoluta që kërkon suspendimin e dialogut shkaktoi reagimin kundërshtues të BE-së.Por këto zhvillime të politikës kosovare në raport me perëndimin, Naim Rashiti nuk i sheh si dëmsjellëse në aspektin afatgjatë.“Mund të ketë dëme të momentit, por nuk do të ketë degradim të marrëdhënieve të Kosovës me faktorin ndërkombëtar, ngase ashtu-kështu nuk ka kah të shkojë Kosova- e ka vetëm një zgjidhje bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar”, thotë Rashiti.