Fushata zgjedhore jozyrtarisht ka kohë që ka filluar, ndërsa zyrtarisht fillon nesër. Kjo fushatë do të monitorohet nga 60 vëzhgues të koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”.
Procesi zgjedhor do të monitorohet edhe nga rreth 100 vëzhgues të BE-së, 23 prej të cilëve janë akredituar tashmë. Njohësit e rrethanave politike, thonë se nuk ka nevojë për tensione gjatë fushatës, ndonëse më shumë presin akuza dhe kundërakuza sesa shpalosje të programeve nga partitë politike
Fushata zgjedhore zyrtarisht fillon të mërkurën, ndonëse ka kohë që tashmë shumic a e subjekteve politike e kanë filluar fushatën në mënyrë intensive. Përkundër se kjo fushatë ka filluar para datës zyrtare, vlerësohet se deri më tani nuk ka pasur gjuhë të ashpër dhe fushatë negative. Për të përcjellë nga afër fushatën zgjedhore, Artan Canhasi nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, thotë se janë angazhuar një numër vëzhguesit.
“Ne do të kemi në terren rreth 60 persona që do t’i monitorojnë të gjitha aktivitetet e partive politike dhe do të shohim edhe gjuhën që po përdoret dhe do të shohim dhe do të komunikojmë rregullisht me publikun dhe mediat për gjetjet tona nëse çdo gjë është duke shkuar në rregull apo duhet ndryshuar diçka”, tha Canhasi, për Radio Kosovën.
Analistët politikë në anën tjetër, presin një fushatë të nxehtë. Imer Mushkolaj thotë se pret të ketë më shumë akuza, sesa shpalosje të programeve.
“Kam frikë se jo programet, por akuzat, fyerjet dhe sharjet do të jenë në tavolinë për t’u zgjedhur nga votuesit”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.
Por, sipas profesorit Mazllum Baraliu, fakti që janë dy koalicione të mëdha, do të ndikojë që edhe fushata të jetë më e qetë.
“Unë pres që të ketë një proces korrekt, pa tensione, pa probleme, aq më tepër që tashmë janë rirreshtuar dhe katalizuar”, tha Baraliu.
Sidoqoftë, procesin zgjedhor para, gjatë dhe pas zgjedhjeve do ta monitorojnë edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, përkatësisht të Bashkimit Evropian, numri i të cilëve, sipas KQZ-së, do të jetë rreth 100. 23 prej tyre të hënën janë akredituar nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve.
Edhe “Demokracia në Veprim”, procesin zgjedhor do ta monitorojë me një numër të madh të vëzhguesve, bën të ditur Artan Canhasi.
“Demokracia në Veprim do t’i ketë 2700 vëzhgues në vendvotime, por edhe në qendrën e thirrjes. Gjithsej do t’i kemi rreth 2700 persona që do t’i kemi të angazhuar në ditën e zgjedhjeve. Ata që do të monitorojnë në terren janë 60, ndërsa 20 do të jenë monitorues të mediave në përgjithësi”, tha Canhasi.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit, fillon të mërkurën, për të përfunduar më 9 qershor, një ditë para heshtjes zgjedhore.