Analistët: Qeverisë dhe politikanëve, Biden ua dha kritikat më të rënda

BOCA RATON, FL - SEPTEMBER 28: U.S. Vice President Joe Biden speaks during a campaign event at the Century Village Clubhouse on September 28, 2012 in Boca Raton, Florida. Biden continues to campaign across the country before the general election. (Photo by Joe Raedle/Getty Images)

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës së tij në Kosovë dha mesazh të qartë për liderët politikë se sfidë për shtetin më të ri mbetet luftimi i korrupsionit.

“Largoni zyrtarët e dënuar, nga detyrat e shërbimit publik. Korrupsioni është kancer për çdo shoqëri. Nëse nuk trajtohet, atëherë zhvillimi i vendit nuk do të jetë i mundshëm”, ka thënë Biden.

Ai po ashtu përmendi edhe çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe atë të Demarkacionit me Malin e Zi, për të cilat tha se janë punë që duhet të kryhen.

Kjo vizitë e numrit dy të Amerikës, nga analistët është cilësuar si vizita më e rëndësishme në këto vitet e fundit.

Njohësi i çështjeve politike, Arben Qirezi, ka thënë për Telegrafin se mesazhet e Bidenit ishin të qarta.

“Mesazhet kryesore të Biden ishin që Kosova ta luftojë korrupsionin, që përfshin edhe klientelizmin e nepotizmin dhe praktikat e tjera të papërgjegjshme të partive bartëse të institucioneve të vendit”, ka thënë Qirezi.

Duke komentuar deklaratën e Bidenit lidhur me Asociacionin dhe Demarkacionin, Qirezi theksoi se SHBA-të e mbështesin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se natyrisht që procesi i Asociacionit duhet të kryhet në bazë të këtij vendimi, që do të thotë se një proces i ri duhet ta ketë parasysh këtë vendim.

“Sa i takon Demarkacionit, natyrisht se SHBA-të dëshirojnë që Kosova të mos ketë çështje të hapura me fqinjët. Demarkacionin me Malin e Zi e dëshirojnë të gjithë në Kosovë, por do të jetë vlerësim i deputetëve të Kuvendit se si do ta votojnë vijën e përcaktuar kufitare”, u shpreh Qirezi.

Në anën tjetër, analisti Halil Matoshi ka thënë për Telegrafin se Joe Biden i ka adresuar Qeverisë së vendit, kastës aktuale politike, kritikën më të rëndë që dikush i ka bërë ndonjëherë. Sipas tij, nuk do koment deklarata e tij se “mund te ecni përpara vetëm nëse e luftoni pandëshkueshmërinë, krimin dhe korrupsionin”!

“Dihet kush e ka instaluar në Kosovë kulturën e mosndëshkimit dhe dihet kush vazhdon të jetë i pandëshkueshëm”, u shpreh Matoshi.

Matoshi theksoi se Asociacioni dhe Demarkacioni janë obligime ndërkombëtare që ka marrë shteti i Kosovës dhe këto dy tema duhet të përmbyllen në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe me konsensus kombëtar.

“Shtrohet dilema nëse Qeveria e Kosovës është e aftë për këtë ose jo!?”, ka thënë ai.

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, u shpreh se Kosova duhet t’i përmbahet zotimeve të bëra në Bruksel, se këto janë kushte që duhet të përmbushen për t’u integruar në Evropë, dhe se SHBA-të do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Kosovës.