Edhe pse për opinionin publik, vendimi i kreut të LDK-së, Isa Mustafa, për të mos kandiduar në zgjedhjet e radhës për kryeministër të vendit ishte si një hap i papritur, analistët politikë e vlerësojnë si një hap të menduar mirë, nisur edhe nga praktikat partive në vendet perëndimore.
Analisti politik Ramush Tahiri, këtë vendim të Mustafës e vlerëson si të menduar mirë, që e forcon subjektin e tij e që i sjell dobi vendit.
“Ky vendim hap mundësitë për kuadrot e dëshmuara, por edhe për ekspertët e rinj”, tha Tahiri për Kosova Info.
Nga ana tjetër, Blerim Burjani, thotë se shpesh ndodhë që njeriu më i fuqishëm i republikanëve apo demokratëve në SHBA të mos e ketë postin e kryetarit të shtetit, sikurse ka plot parti ne BE dhe në Britani – si konservatorët dhe liberalët – që nuk e kanë liderin e partisë në postin e kryeministrit e as deputetit.
Ndërkaq, Visar Berisha shprehet se në “rastin e LDK-së kemi një zhvillim të ri”. “Mustafa ka marr një vendim politikisht të rëndësishëm. Ai me heqjen dorë nga gara për Kryeministër po i jep shtytje LDK-së dhe partive aleate që të krijojnë një kohezion të ri në marrjen e pushtetit. Nuk është hap i lehtë, por i mirëpritur dhe shpresëdhënës”, tha Berisha.