Në rast se partitë që përbëjnë koalicionin qeverisës në Kosovë nuk mund të ofrojnë zgjidhje për çështjet, të cilat konsiderohen mjaft të rëndësishme për vendin, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pavarësisht se zgjedhjet e tilla nuk ofrojnë siguri se pas tyre këto çështje mund të gjejnë zgjidhje, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ka paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Sipas tij, kjo mund të ndodhë në rast se Kuvendi i Kosovës nuk e ratifikon Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave.
Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, shpreh mendimin se zgjedhjet e parakohshme duhet të zhvillohen, siç thotë ai, jo pse do të ofrojnë zgjidhje, por për ta vlerësuar legjitimitetin e subjekteve politike që janë në pushtet dhe opozitë.
“Realisht, nuk mund të ofrojnë zgjidhje, për faktin se shkasi pse shkohet në zgjedhje, do të mbetet i pranishëm edhe pas zgjedhjeve. Kjo nënkupton situatën e njëjtë ose rishikim radikal të partnerëve të ardhëm të koalicionit, që është pak e mundur të besohet dhe shpresohet se ata mund ta ndryshojnë qasjen karshi Demarkacionit dhe karshi organizimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Njohësi i çështjeve politike, publicisti Halil Matoshi, thotë se nuk është etike dhe normale që vendi dhe shoqëria të mbetet peng i disa temave që vlerësohen si të mëdha, për të cilat koalicioni qeverisës nuk ka mundur të japë zgjidhje deri më tash.
Sipas tij, vet koalicioni qeverisës duhet ta shkarkojë veten dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Unë nuk mund të paragjykoj nëse zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje për këto probleme. Por, megjithatë, zgjedhjet demokratike janë i vetmi mekanizëm në një demokraci, në të cilin mund të shpresohet se mund të krijojë ndonjë konstelacion të ri, të favorshëm, të forcave politike që do të mund tu japin zgjidhje këtyre dy apo tri çështjeve madhore”.
Por, cili do të ishte kuptimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në rast se si rezultat i tyre do të ishte konstelacioni i njëjtë i forcave politike ose edhe ndonjë konstelacion i ri, duke pasur parasysh pozicionimin e partive politike përballë çështjeve, për të cilat kërkohet zgjidhja?
Profesor Beqaj shpreh mendimin se është shumë i mundur ndërrimi i partnerëve në koalicionin qeverisës të ardhshëm.
“Është çështje shumë diskutabile se a do të ndryshojnë partnerët rreth pikëpamjeve që i kanë për çështjet pse po shkohet në zgjedhje. Kjo është problem. Atëherë, ata ose do të jenë mashtrues të rinj për votuesit e vjetër dhe për votuesit e rinj, ose do ta shikojnë konceptin e zhvillimit të tyre partiak dhe të pushtetit, gjatë ushtrimit të koalicionit të ardhshëm eventual”.
Analisti Matoshi, shpreh mendimin se zhvillimet në skenën politike gjatë gjithë mandatit aktual të Qeverisë dhe të Kuvendit, kanë dhënë leksione të mjaftueshme për qasjen që duhet ta kenë partitë në pushtet dhe opozitë, pavarësisht konstelacioneve që mund të krijohen pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare eventuale.
“Vota e sovranit shkon edhe te opozita. Prandaj edhe opozita është pjesë e sovranitetit të popullit, për aq sa ka fuqi politike në Kuvend. Kështu që, asnjëherë nuk duhet përjashtuar dhe nënçmuar opozita, por duhet të qeveriset së bashku me opozitën, sidomos në çështjet e interesit nacional”.
Ndryshe, çështja e zgjedhjeve të parakohshme është përmendur në disa raste edhe nga partneri në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës.
Ndërkaq, partitë opozitare, në vazhdimësi kanë kërkuar dorëheqje të qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të kundërshtimeve që kanë në raport me çështjen e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si dhe për çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /