Pas përmbysjes së regjimit 61-vjeçar Baath dhe liderit të tij Bashar Assad, në lagjet e Halepit, të cilat u bombarduan në vitet e para të luftës civile në Siri dhe u shndërruan në rrënoja, po bëhen përpjekje për të shëruar plagët e shkatërrimit, raporton Anadolu.
Ekipi i Anadolu-t ka filmuar imazhe të shkatërrimit të gjerë në lagjet e bombarduara. Halepi është qyteti i dytë më i madh i Sirisë dhe është një nga provincat më të bombarduara gjatë luftës civile, duke qenë edhe zona ku u bënë bënë demonstrata të shumta kundër regjimit që filluan në mars 2011.
Forcat e regjimit të Asadit përdorën të gjitha llojet e armëve për të shtypur këto demonstrata dhe vendosën nën kontroll qytetin në vitin 2016, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha.
Gjatë luftës civile, disa lagje në qendër të qytetit u bombarduan dhe u shkatërruan, ndërsa u shkatërrua plotësisht edhe infrastruktura.
Në lagjet Hariten, Meir, Liramun, Kermeterrab dhe Haydariye, të cilat u përballën me sulmet më intensive nga forcat e rrëzuara të regjimit, qytetarët po përpiqen të shërojnë plagët e shkatërrimit në zonat e kthyera në gërmadha.
– Shumë xhami dhe shkolla janë në gjendje të papërdorshme
Në pamjet me dron reflektohet se më shumë se gjysma e banesave në lagje janë dëmtuar, se shumica e shtëpive janë të pabanueshme dhe shumë prej tyre duhet të rindërtohen.
Në lagjet që ngjajnë me qytetet fantazmë, ashtu si në shumë pjesë të Sirisë, shumë xhami dhe shkolla janë bërë të papërdorshme.
Ahmed Hasan nga Kermeterab për Anadolu tha se ai u zhvendos në një zonë tjetër pasi lagja e tij u bombardua nga forcat e regjimit. Ai shtoi se më pas edhe zona tjetër u bombardua, ndërsa ai u kthye në shtëpinë e tij.
Pasi deklaroi se nga bombardimet i vdiq gruaja dhe i ishte dëmtuar edhe shtëpia, Hasani tha se pas rënies së regjimit, ata të cilëve u mbetën shtëpitë të paprekura ose u dëmtuan lehtë, u kthyen, ndërsa disa po përpiqen të rindërtojnë shtëpitë e tyre të shkatërruara.
– “Fqinjët tanë po kthehen”
Muhammed Jasim, një banor nga Haydariye, tha se ai u shpërngul në Munbixh gjatë luftës dhe u kthye në Halep pasi regjimi ra dhe Munbixh u mor nga organizata terroriste PKK/PYD.
Jasim tha se kthimi i tij ishte i lehtë sepse shtëpia e tij ishte dëmtuar pak, duke shtuar: “Fqinjët tanë po kthehen. Disa kanë dëme të vogla në shtëpitë e tyre, i riparojnë dhe hyjnë, ndërsa disa kthehen sepse shtëpitë e tyre janë shkatërruar plotësisht. Sigurisht ka nga ata që nuk janë kthyer më”.
Duke theksuar se aktualisht ka shumë probleme, veçanërisht në infrastrukturë dhe ekonomi, Jasim u shpreh: “Shpresojmë që Siria të rifitojë lirinë e saj të plotë nën një flamur dhe një shtet”.
Ndërsa Ahmet Zeki Ibrahim, një turkmen nga Halepi, tha se gjatë luftës ai e dërgoi familjen e tij në Türkiye dhe se ka qëndruar i vetëm.
Ibrahimi vuri në dukje se shtëpia e tij u dëmtua nga bombardimet e regjimit dhe theksoi se kthimet do të jenë të ngadalta për sa kohë që nuk ndërtohen shtëpi të reja dhe nuk riparohen shtëpitë e dëmtuara.