Amsterdam, mijëra njerëz në protestë kundër racizmit dhe politikave të ekstremit të djathtë

Mijëra demonstrues janë tubuar në Amsteddam për të protestuar kundër të djathtës ekstreme, duke brohoritur parulla kundër racizmit dhe duke shprehur mbështetje për refugjatët, raporton Anadolu.

Sipas mediave lokale, më shumë se 10 mijë demonstrues mbushën sheshin qendror Dam, të cilët valëvitnin edhe flamuj palestinez dhe thirrnin parulla kundër diskriminimit racor.

Protesta e organizuar dje nga ‘Comité 21 Maart’ u zhvillua me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Diskriminimit Racor, që shënohet çdo vit më 21 mars.

Kjo ditë u shpall nga Kombet e Bashkuara (OKB) për të përkujtuar viktimat e Masakrës së Sharpevillit në Afrikën e Jugut në vitin 1960, kur policia hapi zjarr ndaj demonstruesve paqësor që protestonin për miratimin e ligjeve të epokës së aparteidit, duke vrarë 69 njerëz.

Që atëherë, kjo ditë ka shërbyer si një thirrje globale për të luftuar diskriminimin racor dhe për të promovuar barazinë. Ngjarje dhe demonstrata mbahen në mbarë botën, me qëllim për të rritur ndërgjegjësimin për padrejtësitë e vazhdueshme racore dhe për të mbrojtur politikat gjithëpërfshirëse.