Amorim do të jetë trajner i Manchester Unitedit

Drejtuesit e Manchester Unitedit nuk kanë humbur kohë për të gjetur trajnerin e ri pas shkarkimit të holandezit Erik Ten Hag.

Ruben Amorim pritet ta marrë drejtimin e ekipit anglez pasi Manchester Unitedi është në negociata të avancuara me Sportingun e Lisbonës për lirimin e trajnerit portugez.

Amorim 39-vjeçar ka dhënë miratimin e tij dhe po pret marrëveshjen mes klubeve për t’u zyrtarizuar në krye të Manchester Unitedit.

Klubi anglez do të paguajë të paktën 10 milionë euro për të shkëputur kontratën e trajnerit Amorim, i cili ka kontratë valide me skuadrën portugeze deri në verën e vitit 2026.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë Amorim do ta udhëheq Manchester Unitedin në ndeshjen kundër Chelseat që do të zhvillohet të dielën në kuadër të kampionatit anglez.

Amorim para Sportingut ka qenë edhe trajner i Bragës, ndërsa në futbollin portugez ka të fituar 6 trofe, përfshirë këtu dy tituj kampioni.