Sipas Amnesty, Serbia kishte marrë pajisje për thyerjen e telefonave nga Cellebrite si pjesë e një pakete më të gjerë ndihme për të ndihmuar Serbinë të plotësojë kërkesat për integrim në Bashkimin Evropian.
Zyrtarët serbë instaluan programe spiunazhi në telefonat e dhjetëra gazetarëve dhe aktivistëve, tha Amnesty International në një raport të publikuar më 16 dhjetor, duke cituar prova forenzike digjitale dhe dëshmi nga aktivistët që thanë se ishin hakuar në muajt e fundit.
Në dy raste, softueri i ofruar nga kompania izraelite e mbikëqyrjes, Cellebrite DI Ltd, u përdor për të hapur telefonat, thuhet në raport.
Programi spiun serb, i quajtur “NoviSpy” nga Amnesty, më pas realizoi fotografi të fshehta të pajisjeve mobile, kopjoi kontaktet dhe i ngarkoi ato në një server të kontrolluar nga qeveria, thuhet në raport.
“Në disa raste, aktivistë dhe një gazetar raportuan shenja aktivitetesh të dyshimta në telefonat e tyre mobil menjëherë pas intervistave me policinë dhe autoritetet e sigurisë serbe”, tha Amnesty.
Ministria e Brendshme e Serbisë, ministria e Jashtme dhe agjencia e inteligjencës, BIA, nuk iu përgjigjën kërkesave të Amnesty për koment, të bëra më 12 dhjetor.
Produktet e Cellebrite përdoren gjerësisht nga forcat e zbatimit të ligjit, përfshirë FBI-në, për të zhbllokuar telefonat inteligjentë dhe për t’i hetuar për prova. Shefi i marketingut i Cellebrite, David Gee, tha se kompania po hetonte akuzat e Amnesty.
“Nëse këto akuza janë të sakta, ato mund të përbëjnë një shkelje të marrëveshjes sonë të licencës për përdoruesit”, tha Gee për Reuters. Nëse rezulton të jetë kështu, tha Gee, Cellebrite mund ta pezullojë përdorimin e teknologjisë së saj nga autoritetet serbe.
Vendosja e softuerëve të mbikëqyrjes në pajisje “absolutisht nuk është ajo që ne bëjmë”, tha Gee. Ai shtoi se Cellebrite kishte filluar të kontaktonte zyrtarët serbë, por refuzoi të jepte detaje të mëtejshme.
Një nga aktivistët e përmendur nga Amnesty në raport tha se kishte vënë re që kontaktet në telefonin e tij ishin eksportuar menjëherë pas një takimi me BIA-n.
Aktivisti i tha Reuters se ua kishte treguar telefonin ekspertëve forensikë digjitalë, të cilët zbuluan se programi spiun NoviSpy kishte eksportuar kontaktet e tij dhe kishte dërguar fotografi private nga pajisja e tij në një server të kontrolluar nga BIA.
Sipas Amnesty, Serbia kishte marrë pajisje për thyerjen e telefonave nga Cellebrite si pjesë e një pakete më të gjerë ndihme për të ndihmuar Serbinë të plotësojë kërkesat për integrim në Bashkimin Evropian.
Kjo paketë, e financuar nga qeveria norvegjeze dhe e administruar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), iu ofrua Ministrisë së Brendshme të Serbisë nga viti 2017 deri në 2021 për ta ndihmuar Serbinë në luftën kundër krimit të organizuar, thuhet në raport.
Qeveria norvegjeze e ndaloi përkohësisht dërgimin e pajisjeve të Cellebrite në Serbi në vitin 2018, tha Amnesty. Ambasada norvegjeze në Beograd gjithashtu ngriti shqetësime për programin, shtoi raporti, por UNOPS-i përfundimisht dorëzoi pajisjet në qershor të vitit 2019.
“Pretendimet e bëra në raport janë alarmante dhe, nëse janë të sakta, të papranueshme”, tha zëvendësministrja e jashtme e Norvegjisë, Maria Varteressian, për Reuters. “Ne do të takohemi me autoritetet serbe si dhe me UNOPS-in më vonë këtë muaj për të marrë informacion të mëtejshëm mbi çështjen”.
“Ne presim që UNOPS të hetojë akuzat”, shtoi ajo.
UNOPS tha në një deklaratë se mirëpriste raportin e Amnesty dhe tha se, që nga viti 2017, agjencia kishte “forcuar më tej mekanizmat për të vlerësuar dhe zbutur efektet e mundshme negative”. Agjencia nuk dha detaje mbi këto masa. /REL