Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Amnesty International” kritikoi Greqinë të enjten për gjykimin e 24 punonjësve humanitarë në gjykatë me akuza për spiunazh në lidhje me rolin e tyre në ndihmën e refugjatëve për të hyrë në vend midis viteve 2016-2018, transmeton Anadolu Agency (AA).
Midis punonjësve humanitarë që u akuzuan nga autoritetet greke ishin notarja me origjinë siriane Sarah Mardini, motra e së cilës Yusra ishte pjesë e ekipit të notit të refugjatëve në Lojërat Olimpike 2016 në Rio de Zhaneiro, shtetasi gjerman Sean Binder, një nga mbrojtësit e njohur për të drejtat e refugjatëve dhe holandezi 73-vjeçar Pieter Wittenberg.
Për shkak të ndalimit të udhëtimit të vendosur ndaj Sarah Mardinit, ajo nuk ka mundur të ndjekë gjyqin e saj.
Gjykata në ishullin Lesbos vendosi të enjten të shtyjë çështjen që përfshin 24 punëtorët humanitarë.
Duke reaguar ndaj vendimit, “Amnesty International” argumentoi se ai lë në paqartësi jetën e punëtorëve.
“Këto akuza të sajuara janë farsë dhe nuk duhet të kishin rezultuar kurrë në paraqitjen e Sarah dhe Sean në gjykatë”, tha Giorgos Kosmopoulos, aktivist i lartë për migracionin për “Amnesty International”.
Ai në emër të “Amnesty International” u kërkoi autoriteteve greke të respektojnë detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut dhe të heqin dorë nga akuzat kundër të pandehurve.
“Ne qëndrojmë përkrah Sean dhe Sara-s dhe do të vazhdojmë fushatën derisa drejtësia të arrihet plotësisht, të drejtat e tyre të njeriut të respektohen dhe të mbështeten dhe të gjitha akuzat kundër tyre të hiqen”, tha ai.
Punonjësit humanitarë ishin të lidhur me Qendrën Ndërkombëtare të Reagimit Emergjent (ERCI), një grup jofitimprurës kërkim-shpëtim që operonte në Lesbos, i cili atëherë ishte një nga pikat e nxehta të krizës së refugjatëve në Evropë me një numër të madh azilkërkuesish që vinin çdo ditë në brigjet e saj nga 2016 deri në 2018.
Të pandehurit mohojnë akuzat ndaj tyre, për të cilat mund të dënohen deri në 25 vite burg.
Një raport i publikuar në qershor nga Parlamenti Evropian e quajti gjyqin “rastin më të madh të kriminalizimit të solidaritetit në Evropë”.
Grupet e të drejtave, përfshirë “Amnesty International” dhe “Human Rights Watch”, pretendojnë se gjyqi ka për qëllim të frikësojë punonjësit e ndihmës dhe thotë se akuzat janë të motivuara politikisht.