Sipas raportit të përgatitur nga organizata “Amnesty International”, veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës dhe deklaratat e autoriteteve zbulojnë qëllimin dhe krimin gjenocidal, transmeton Anadolu.
Në raportin e organizatës me titull “Ti ndihesh si jonjerëzor: gjenocidi i Izraelit kundër palestinezëve në Gaza”, thuhet se Izraeli vazhdoi sulmet në Gaza që nisi pas 7 tetorit 2023, pa asnjë përgjegjësi.
Raporti që shqyrton sulmet e Izraelit në Gaza ndërsa theksonte vdekjet dhe shkallën e shkatërrimit, zbuloi gjithashtu se veprimet e ndaluara nga ligji ndërkombëtar kërkoheshin nga zyrtarë të nivelit të lartë.
Gjatë përgatitjes së raportit, 212 persona u intervistuan dhe u morën parasysh provat vizuale, përfshirë fotografitë satelitore.
Në këtë kontekst, u shqyrtuan deklaratat e zyrtarëve të qeverisë izraelite dhe ushtarakëve ndërsa raportet lidhur me këto deklarata iu prezantuan edhe Izraelit. “Amnesty International” raportoi se nuk kishte asnjë përgjigje nga Izraeli.
– Pretendimet se Hamasi fshihet mes civilëve janë të pavërteta
Sipas raportit, shumica e më shumë se 42 mijë civilëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Gaza humbën jetën në sulme të drejtpërdrejta dhe të qëllimshme. Sulmet shkatërruan shumë familje ku jetonin disa breza së bashku dhe se Gaza u bë kryesisht e pabanueshme.
Në raport thuhet se uria, kequshqyerja dhe sëmundjet epidemike u shfaqën edhe në Gaza në mjedisin e krijuar nga Izraeli dhe se kjo situatë po vriste dalëngadalë banorët e Gazës. Gjithashtu përmendet se palestinezët në Gaza iu nënshtruan keqtrajtimit dhe torturës në burgjet izraelite dhe se e vetmja arsye për veprimet izraelite ishte “qëllimi gjenocidal”.
Raporti preku gjithashtu deklaratat e zyrtarëve izraelitë që zbuluan qëllimin e tyre gjenocidal kundër banorëve të Gazës dhe se Izraeli praktikon diskriminim sistematik. “Amnesty International” shqyrtoi pretendimet e Izraelit se civilët në Gaza përdoreshin si mburoja njerëzore nga Hamasi dhe se Hamasi fshihej mes civilëve.
Duke arritur në përfundimin se këto pretendime janë të pabesueshme, “Amnesty International” tha se edhe nëse do të ishte kështu, detyrimi i Izraelit për të mbrojtur civilët nuk do të eliminohej.
– Në 15 sulme ajrore nuk u gjet asnjë provë për objektiva ushtarake
Raporti thotë se Izraeli është i pandjeshëm dhe mosrespektues ndaj jetëve të banorëve të Gazës. “Fakti që palestinezët shihen si të shpenzueshëm dhe të padenjë për vëmendje është vetë dëshmi e qëllimit gjenocidal”, thuhet më tej në raportin e organizatës.
Në vazhdim bëhet e ditur se 102 deklarata nga zyrtarët izraelitë për të justifikuar gjenocidin u shqyrtuan dhe 22 prej tyre siguruan prova të drejtpërdrejta të qëllimit gjenocidal.
“Amnesty International” shqyrtoi gjithashtu sulmet që shkaktuan vdekje dhe lëndime.
Raporti zbuloi se Izraeli zhvendosi 90 për qind të popullsisë së Rripit të Gazës ndërsa disa njerëz duhej të zhvendoseshin 10 herë. Organizata tha se Izraeli i shpërfilli thirrjet për të mbrojtur civilët.