Moslejimi i ndihmave humanitare nga qeveria e Mianmarit në shtetin e Arakanit vë në rrezik jetën e dhjetëra mijëra muslimanëve në këtë rajon, ka theksuar Amnesty International, organizatë joqeveritare ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Arakani gjendet në prag të një krize humanitare. Nuk mund të legjitimohen pengesat ndaj ndihmave humanitare që kanë rëndësi jetike për njerëzit e pashpresë. Duke penguar qasjen e organizatave humanitare në rajon, qeveria e Mianmarit vë në rrezik jetën e dhjetëra mijëra njerëzve dhe shpërfill në mënyrë të ashpër jetën e njeriut”, ka thënë Tirana Hassan, drejtuese e Programit për Menaxhimin e Krizave pranë organizatës.
“Qeveria sa më parë duhet të ndryshojë kahun dhe të sigurojë qasjen e plotë dhe të lirë të ndihmave të organizatave humanitare për nevojtarët”, ka porositur Hassan.
Hassan ka theksuar se ushtria e Mianmarit ka përdorur forcë joproporcionale në Arakan, duke cilësuar se dhuna ndaj muslimanëve të vendit ndodh për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare të tyre dhe se e njëjta duhet të ndalojë sa më parë.
Ajo po ashtu ka nënvizuar nevojën që qeveria e Mianmarit të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të mos bëjë dallim mes njerëzve që jetojnë në Arakan.
“Në vend të kësaj, zyrtarët e Mianmarit kanë zgjedhur të sillen si një armik i cili mund ta sulmojë popullatën (muslimane të Arakanit), t’i vrasë dhe t’i dëbojë nga shtëpitë”, ka thënë Hassan, duke i quajtur si të paqena dhe të papërgjegjshme pretendimet e qeverisë së Mianmarit se organizatat humanitare ndërkombëtare mbështesin “aktorët e armatosur” në Arakan.
“Teksa punonjësit humanitarë prej vitesh mbështesin popullin e Mianmarit duke ofruar ndihma humanitare, qeveria asnjëherë nuk arriti ta bëjë këtë. Zyrtarët e Mianmarit sa më parë duhet të pushojë së shpërndari informacione të rreme dhe së hedhuri akuza të pabaza dhe provokative”, ka shtuar ajo.
“Muslimanët po vdesin nga uria në shtëpitë e tyre”
Ndërkohë, një punonjës humanitar i cili ka kërkuar të mbetet anonim, duke folur për organizatën ka thënë se muslimanët e Arakanit që kanë ikur në Bangladesh kanë informuar se forcat e Mianmarit vrasin muslimanët në tentativë për të ikur në Bangladesh dhe djegin në tërësi fshatrat e tyre.
“Muslimanët po vdesin nga uria në shtëpitë e tyre. Dyqanet janë të mbyllura dhe njerëzit detyrohen të ikin nga fshatrat përmes rrugëve ilegale”, ka thënë ai.
Ndryshe, qeveria e Mianmarit nuk është duke lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare për muslimanët e Arakanit që kanë marrë rrugën e migrimit ose kanë mbetur pa shtëpi.
Një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.
Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.
Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.