Liderët politikë nga mbarë bota me fjalimet e tyre e nxisin urrejtjen dhe me qëllim krijojnë frikë dhe shqetësim midis kategorive të caktuara të njerëzve, vlerëson organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Amnesty International”.
“Kjo retorikë e hapur e bëri botën me të rrezikshme dhe vend më të errët për jetesë”, theksohet në dokumentin prej 408 faqesh kushtuar respektimit të të drejtave të njeriut në 159 vende nga e mbarë bota gjatë vitit 2016.
Sipas AI, viti 2016 ka qenë vit i “shfrytëzimit cinik të retorikës ne kundër tyre”, me ç’rast kanosjet, urrejtja dhe frika kanë marrë përmasa globale deri në nivelin i cili “nuk është vërejtur prej viteve të 30-ta të shekullit të kaluar, kur lideri nazist Adolf Hitler erdhi në pushtet në Gjermani”.
Në mesin e liderëve të cilët sipas AI në paraqitjet e tyre kanë manifestuar gjuhë të urrejtjes, organizata i permend presidentët e SHBA-së, Turqisë dhe Filipineve, si dhe kryeministrin hungarez.
“Ata me fjalët e tyre të përjashtimit në mënyrë mizore i nënçmojnë grupet e tëra shoqërore dhe e përhapin idenë se disa persona janë më pak të vlefshëm se të tjerët. Të parët goditen emigrantët”, konstatoi organizata.
Si shembull për dukuritë e tilla AI i thekson dekretin e Trampit për ndalesën për hyrje në SHBA shtetasve prej shtatë vendeve myslimane, e cila u bllokua me vendim gjyqësor, por edhe marrëveshjen midis BE-së dhe Ankarasë për ndalimin e valës së emigrantëve drejt Evropës, me të cilin parashihet kthimi i emigrantëve ilegal në Turqi.
“Retorikën helmuese të cilën e përdori Tramp në fushatën parazgjedhore, ilustroi një tendencë globale të politikave dhe ndarjeve zemrëuese. Politikanët pa turp dhe në mënyrë aktive promovojnë retorikat dhe politikat e urrejtjes të bazuara në identitetin e njerëzve, racizmit, urrejtjes ndaj grave dhe homofobisë. Caku i parë janë emigrantët, por nëse kjo tendencë vazhdon edhe në vitin 2017, cak i sulmeve mund të bëhen edhe kategoritë e tjera të personave”, theksohet në raport.
Duke e prezentuar raportin, drejtori i AI për Evropën, Xhon Dalhauzen theksoi se të huajt dhe myslimanët janë bërë caku kryesor i “demagogjisë evropiane, e cila këta njerëz i prezenton si kanosje për sigurinë dhe identitetin nacional, si vjedhës të vendeve të punës dhe si keqpërdorues të sistemeve sociale”.