Amerikanët vrasin “gabimisht” 16 policë afganë

Nga një sulm ajror i Shteteve të Bashkuara janë vrarë 16 dhe plagosur dy pjesëtarë të policisë kombëtare të Afganistanit në provincën Helmand, kanë thënë sot zyrtarët.

Pentagoni ka konfirmuar mbrëmë se nga sulmi ajror amerikan në provincën Helmand gabimisht janë vrarë një numër i forcave të sigurisë afgane.

Aktualisht, forcat afgane po zhvillojnë betejë të ashpër për ta rimarrë territorin në provincën Helmand, që në masë të madhe, është nën kontroll të talibanve.

Ahmad Faisal Bigzad, guvernator i provincës tjetër afgane, Badakshan, ka njoftuar sot se 11 policë janë vrarë dhe 6 të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve me talibanët. Sipas tij, 20 pjesëtarë të tjerë të policisë lokale në rajonin e largët Tagab, konsiderohen të zhdukur pas luftimeve të djeshme.