Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në SHBA, thotë se edhe gjatë mandatit të presidentit të ri Donald Trump, Kosova do të mundë të llogarisë në përkrahjen e Amerikës. Sipas saj, politika e jashtme amerikane nuk ka ndryshuar edhe kur presidenti ka qenë nga radhët e republikanëve apo demokratëve.
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Vlora Çitaku, shprehet e bindur se Kosova do të mundë të llogarisë në përkrahjen politike të SHBA-ve edhe gjatë mandatit të presidentit të ri, Donald Trump.
Sipas saj, Amerika ka dhënë kontribut të madh për vendin në vazhdimësi, pavarësisht se kush ka qenë në krye të Shtëpisë e Bardhë, presidenti nga radhët e republikanëve apo demokratëve.
Këto komente Çitaku i ka bërë gjatë një interviste të shkurtër dhënë gazetës “Zëri”, pas zgjedhjes së republikanit Trump, president i ri i SHBA-ve.
“Zgjedhjet presidenciale në SHBA kanë ndikimet e tyre jo vetëm në zhvillimet politike në Kosovë, por edhe në një sfond më të gjerë gjeopolitik. SHBA-të janë themeltare të Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s e cila ka ndëhyrë ushtarakisht në vitin 1999 në Kosovë, luan ende rol vendimtar në politikat e zgjerimit, jo vetëm të Aleancës, por është edhe parnter me Bashkimin Evropian. Në një kohë kur subjektiviteti ynë ndërkombëtar vazhdon të jetë i kontestuar, fakti që Kosova ka mundur vazhdimisht të llogarisë deri më tani në ndihmën e SHBA-ve, pavarësisht kush ka qenë në Shtëpinë e Bardhë, president demokrat, apo republikan, është shumë domethënëse dhe ne shpresojmë se kjo frymë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Çitaku.