Ambasadorja Kılıç dënon sulmin ndaj Konsullatës së Turqisë në Prizren

Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, në një deklaratë për media dënoi sulmin e ndodhur sot në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë fjalimit të saj Kılıç bëri të ditur se në këtë ndërtesë janë thyer disa xhama dhe u shpreh se moslëndimi i askujt është ngushëllimi i vetëm për këtë sulm.

Duke shprehur keqardhjet e saj, ambasadorja Kılıç tha se “Ka qenë një ngjarje që nuk duhej të ndodhte dhe vetë arsyeja që ndodhi në Kosovë është një fakt që na mërzit më shumë neve, sepse ne jemi dy shtete mik dhe vëllezër. Edhe këtë nuk duhet të harrojmë se marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy shteteve janë të mrekullueshme në çdo fushë. Mund të ekzistojnë rrethanat që dëshirojnë t’i cenojnë këto marrëdhënie, por ne e shohim këtë akt si të izoluar.”

Ambasadorja po ashtu falënderoi institucionet dhe zyrtarët e Kosovës që kanë ndërhyrë menjëherë pas ngjarjes dhe bëri të ditur se menjëherë pas këtij akti ka biseduar me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili ka dënuar ashpër këtë sulm.

Duke vënë në dukje se këto akte mund të ndodhin në çdo vend të botës, Kılıç tha se “Aktet dhe sulmet e tilla nuk mund t’i cenojnë marrëdhëniet në mes të këtyre dy shteteve. Marrëdhëniet tona janë historike dhe të thella. Marrëdhëniet mes këtyre dy popujve janë forta dhe të thella.”

Ambasadorja gjatë fjalimit të saj ka shprehur urimet edhe për 28 Nëntorin, Festën e Flamurit. Me këtë rast ajo bëri të ditur se Komuna e Prizrenit në këtë qytet ka vendosur flamuj të shteteve të ndryshëm, por që ka ndodhur një sulm edhe ndaj flamurit të Turqisë dhe e dënoi këtë akt.

Në anën tjetër konsullja e Përgjithshme e Turqisë në Prizren, Selen Evcit tha se janë arrestuar 5 persona për këtë sulm. Duke vënë dukje se hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë, Evcit u shpreh se të arrestuarit brenda dy ditëve do të dalin para gjykatës.

“Ne do të jemi në ndjekje të kësaj ngjarjeje në vazhdim. Do të informohemi me çdo informatë të re dhe në të njëjtën kohë do të marrim edhe masa për rritjen e sigurisë”, tha Ecvit.