Ambasadori i Arabisë Saudite thirret në MPJ të Turqisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë dje ka thirrur në ministri ambasadorin e Arabisë Saudite në Ankara Walid Bin Abdul Karim El Khereiji, të cilit i është përcjellë pritja e Turqisë për “një bashkëpunim të plotë” në hetimet në lidhje me gazetarin e zhdukur saudit Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve nga burimet diplomatike, zëvendës ministri i Jashtëm i Turqisë Sedat Önal dje ka thirrur ambasadorin El Khereiji në ministri.

Burimet thonë se në takim ambasadorit saudit i është përcjellë mesazhi se Turqia pret “një bashkëpunim të plotë” nga Arabia Saudite në hetimin për gazetarin e zhdukur saudit Khashoggi.

E fejuara e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, si person i fundit që kishte parë gazetarin, në një deklaratë për media tregoi se deri në ndërtesën e konsullatës kanë shkuar së bashku. Ajo pretendon se Khashoggi nuk ka dalë më jashtë pasi që kishte hyrë në konsullatë.

Ndërsa konsullata e Arabisë Saudite në Stamboll ka mohuar pretendimin në fjalë, duke thënë se Khashoggi “kishte shkuar në konsullatë por më pas ishte larguar nga ky vend”.

Gjithashtu edhe të mërkurën e kaluar MPJ e Turqisë thirri të dërguarin e Arabisë Saudite në Ankara El Khereiji, pas zhdukjes së gazetarit saudit.