Ambasadori Delawie: FSK të transformohet me ndryshime kushtetuese

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, gjatë ditës së sotme vizitoi ministrin e ri të FSK-së, Rrustem Berishën.

Delawie gjatë takimit me ministrin Berisha shprehi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen duke theksuar se ambasada e SHBA-ve mirëpret gatishmërinë për të vazhduar këtë bashkëpunim për të shtuar dhe forcuar kapacitet e FSK-s.

Ai theksoi se transformimi i FSK’së në FAK duhet të bëhet duke u bazuar në ndryshimet kushtetuese.“Ne e përkrahim transformimin e FSK-së në FAK të bazuar në ndryshimet kushtetuese dhe vlerësojmë se ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës për të gjithë komunitet dhe ti kontribuojë stabilitetit rajonal”, theksoi Delawie.

E ndërkohë, Ministri Berisha e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe urimin që i bëri për detyrën e re. Ai me këtë rast, ka falënderuar ambasadorin Delawie, për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme që SHBA-të kanë dhënë për Ministrinë dhe FSK-në, duke theksuar se ai do të punojë për ta thelluar këtë bashkëpunim edhe më tepër gjatë mandatit të tij.Ai foli edhe për rëndësinë e procesit të transformimit të FSK-së në FAK dhe sfidat që e presin këtë proces, duke theksuar se ai do të përcjellë mesazhin e qartë dhe të hapur te komuniteti serb dhe komunitet tjera, se FAK-u nuk do të jetë i orientuar kundër askujt, por do të jetë në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës.Takimi me ambasadorin e SHBA-ve ishte takimi i parë i ministrit Berisha në detyrën e re, takim i cili kaloi në atmosferë miqësore shumë të mirë.