Ambasadori britanik për aksionin në veri: Veprime të tilla rrezikojnë të nxisin tensione

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka reaguar për aksionin e autoriteteve të Kosovës në veri, për mbylljen e strukturave paralele në komunat veriore.

Ai u shpreh se veprimet e tilla kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë.

Tutje, ai u shpreh se këto veprime rrezikojnë të nxisin tensione.

“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë”.

“Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit”, ka shkruar Hargreaves në platformën “X”.