Përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë thonë se subjektet politike në vend duhet të vendosin nëse duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme, apo jo. Megjithatë, ata theksojnë faktin se zgjedhjet kanë kosto milionëshe.
Bashkësia ndërkombëtare vazhdon ta mbajë qëndrimin se subjektet politike kosovare vendosin nëse Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, apo jo, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Javë më parë zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian patën deklaruar se kjo është çështje e brendshme e Kosovës, ndërsa edhe tani përfaqësuesit diplomatikë të disa vendeve mike të Kosovës thonë se për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme duhet të vendosin subjektet politike në vend.
Megjithatë, ata theksojnë faktin se kjo do t’i kushtonte Kosovës me humbje të parave dhe të kohës.
Zyrtarë të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë kanë thënë për “Zërin” se për çështjen e zgjedhjeve duhet të vendosin paritë politike në vend, pasi që, sipas tyre, ato janë përgjegjëse para qytetarëve.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, është përgjegjëse për të ardhmen e saj. Andaj çështja e zgjedhjeve të parakohshme është diçka që duhet të vendosin partitë politike në Kosovë. Ata janë të zgjedhurit e popullit dhe janë përgjegjëse para qytetarëve të vet”, thuhet në qëndrimin e Ambasadës britanike.